
LUSHNJE- Tragjedia me dy të vdekur në Lushnje nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare nga ana e autoriteteve shqiptare. Kur kanë kaluar 3 ditë nga shpërthimi në një magazinë ku humbën jetën babë e bir, ende sot nuk kemi një version zyrtar nga policia dhe prokuroria në lidhje me hetimet. Objekti në fjalë i cili po ndërtohej, do të shërbente si një pikë magazinimi për Coca Cola-n dhe që zotërohet nga deputeti socialist Bujar Çela, pavarësisht se zyrtarisht nuk është e regjistruar në emrin e tij në Qendrën Kombëtare të Biznesit. ZËRI ka mësuar gjithashtu se edhe leja për ndërtimin e kësaj magazine nuk është dhënë për deputetin Çela, por për një person të afërt me të, ndërkohë që dhe kompania nënkontraktore që ka kryer punimet është në pronësi të nënkryetarit aktual të bashkisë Lushnje, Elton Korreshi.
Çela mbeti dhe vetë i plagosur ditën e shpërthimit dhe ndodhet ende në spital. Ai do të merret në pyetje, ndërkohë që një sërë pikëpyetjesh ngihen në lidhje me shkaqet e shpërthimit, dhe kushtet e sigurisë në punë. Të dëmtuar nga shpërthimi mbetën dhe Sokol Lumi e Elton Korreshi të cilët ishin shumë pranë magazinës kur ndodhi shpërthimi. Landi Verçani (Hoxha) dhe djali i tij 20 vjeç Elidon Hoxha humbën jetën duke shkaktuar një tragjedi të dyfishtë në familjen e tyre. Fillimisht u raportua se shpërthimi ndodhi për shkak të kontaktit të vinçit me telat e tensionit të lartë, por pista që aktualisht po hetohet është rrëzimi në tokë i bombolës së oksigjenit. ZËRI ka dërguar kërkesë zyrtare për informacion kundrejt Inspektoriatit të Punës, atij Teknik dhe Bashkisë Lushnje për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje në dukje aksidentale, por që mund të zbardhë shkelje të mëdha nga autoritetet vendase.