
TIRANË- Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali ka vendosur që të përdorë si prova të ligjshme dhe të vlefshme të gjitha bisedat e zhvilluara në aplikacionin "Sky ECC", duke shënuar kështu një moment historik për prokurorët antimafia. Miliona biseda që janë siguruar janë vlerësuar nga hetuesit të barabarta me mijëra të penduar që flasin lirisht, tregojnë pazaret e madje i dokumentojnë dhe me foto. Në Romë, falë atyre përgjimeve u demaskua mafia shqiptare, kontaktet me marokenët, pazaret me "narkot" ekuadorianë dhe zyrtarët e korruptuar. Gjithashtu u zbuluan edhe tentativat për të vrarë dy magjistratë nga Roma me porosi të "Zotit" shqiptar të drogës, Elvis Demçe. Por, ndërkohë që Italia ka dalë në një vendim, edhe në Shqipëri, çështja e bisedave të enkriptuara ka hapur mjaft diskutim. Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se një sindikatë me avokatë vendas e të huaj, janë bërë bashkë për të rrëzuar përmes vendimeve të gjykatave, bisedat e zbërthyera të aplikacionit “Sky ECC”, ku shumë eksponentë të krimit të organizuar dhe zyrtarë dalin të implikuar në veprimtari kriminale. Por çfarë do të ndodhë tani që Shqiptaria ka një precedent të fortë, atë të Gjykatës së Lartë të Kasacionit në Itali?