
TIRANË- Një familje po përballet me bllokimin e dy apartamenteve që kishte në pronësi pasi kryefamiljari ishte dorëzanës në kredinë e një miku që nuk kishte shlyer 50 mijë lekë të vjetra. Kredia ishte marrë në bankën Societe Generale, shkruan gazetarja Ola Xama. Për shkak të vonesës së pagesës së 50 mijë lekëve të vjetra, detyrimi i është shitur kompanisë së mbledhjes së borxheve Micro Credit Albania. Kësaj shume i janë shtuar penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore dhe për rrjedhojë, dorëzanësit i janë bllokuar dy apartamente në Tiranë, të cilat nuk u liruan as kur u pagua detyrimi. Prona i është sekuestruar për 8 vjet dhe vazhdon e bllokuar. Qindra të tjerë që kanë patur borxhe të pashlyera, janë detyruar të marrin kredi dhe të paguajnë në fund 2 deri në 3 herë më shumë. Në skemë janë individë shumë të fuqishëm, në qeveri, banka dhe drejtësi, që po përpiqen të shuajnë skandalin e zhvatjes të 17 mijë qytetarëve. Skema është është denoncuar nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës por organet e drejtësisë bëjnë ping-pong mes tyre dhe nuk i japin zgjidhje problemit.