Një nga risitë më të mëdha të Reformës në Drejtësi ka qenë procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç njihet ndryshe edhe Vettingu, që ka për qëllim të garantojë qëndrimin në detyrë të subjekteve që pavarur dhe të ndershëm dhe largimin e magjistratëve të paaftë profesionalisht, që nuk kanë justifikuar pasurinë apo që kanë lidhje me krimin.
Ky proces që filloi me miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe hyrjen në fuqi të ligjit përkatës, ka nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë 406 gjyqtarë, prokurorë e ndihëms ligjorë nga 805 që ishin në total. Ndërkohë që kanë mbetur ende pa u kontrolluar edhe 73 gjyqtarë, prokurorë e ndihmës ligjore të cilëve duhet tu verifikohen pasuritë, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale, sfida e vërtetë e drejtësisë së re është zëvendësimi i tyre.
Mungesa e gjytarëve ka bërë që një numër i madh çështjesh të kapërcejnë afatet e arsyeshme të gjykimit, ndërkohë që janë krijuar stoqe me mijëra dosje në Gjykatën e Apelit, e cila po punon me vetëm një të tretën e gjyqtarëve që duhet të ketë.
Duhet thënë se mes të larguarve janë edhe ata që kanë vendosur të mos i nënshtrihen procesit të Vettingut, duke preferuar të dorëhiqen, por pavarësisht vendimit, aleatët ndërkombëtarë kanë kërkuar ndëshkimin penal të këtyre subjekteve, duke u sekuestruar edhe pasuritë. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë vite që nga koha që Vettingu ka nisur veprimin, deri më tani nuk është dënuar asnjë gjyqtar apo prokuror për shkak të ekspozimit nga proces.
Për tu rikthyer tek zëvendësimi, lëvizjet kanë filluar dhe pse ngre shumë pikëpyetje për njerëzit që do të kenë në dorë fatin e shumë të pandehurve.
Heqja e mesatares
E para dhe thelbësorja ishte ulja e mesatares nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, nën drejtimin e Arben Rakipit, që bëri me dije se ka vendosur të ndryshojë rregullimin e kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8 të lëndëve kryesore.
Me këtë ndryshim, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka mundësuar që edhe të diplomuarit si juristë që nuk arrijnë këtë kriter të munden të jenë pjesë e trupës së magjistratëve të rinj, nëse zgjidhen si fitues.
Por ironia nuk mbaron me kaq! Të dorëhequrit, pedagogë për brezin e ri
Përjashtimi nga sistemi i drejtësisë përmes dorëheqjes i ndalon subjektet që të emërohen gjyqtar ose prokuror të çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për 15 vjet, por Legjislacioni nuk ka përcaktuar mes funksioneve të sanksionuara pozicionin e pedagogut të brendshëm të Magjistraturës, megjithëse ka një rol kyç në formimin e brezave të magjistratëve të rinj.
Kështu, shumë magjistratë të shkarkuar po edukojnë zëvendësuesit e tyre dhe japin leksione në shkollën e Magjistraturës. Ka dhe që njëkohësisht ushtrojnë edhe profesionin e avokatit.
Të shkarkuarit zëvendësohen nga fëmijët
Trupës së magjistratëve të rinj, nga të cilët pritet të vijë ndryshimi në sistemin e drejtësisë, i janë bashkuar edhe fëmijët e gjyqtarëve, të cilëve iu është ndërprerë rrugëtimi për shkak të Vettingut. Pra, një tjetër mënyrë zëvendësimi, është edhe ‘trashëgimi’ i detyrës brenda familjes.
Megjithëse rezultojnë trashëgimtari ligjor të pronave të prindërve që kanë pasur probleme me deklarimin e pasurive, atyre u është lejuar që të futen në këtë shkollë dhe të nisin përgatitjen për tu bërë pjesë e drejtësisë së re.
Shkolla e plepave
Një tjetër propozim është bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është ai i rikthimit të të ashtuquajturës ‘shkolla e plepave’.
Ndryshimi i vetëm është që gjashtë muajt e dikurshëm të kursit të përshpejtuar që bëheshin në vitin 1994, këshilltarët ligjorë t’i ndjekin në shkollën e magjistraturës. Gjashtë muaj të tjerë propozohet të ndiqen si praktikë.
A është kjo drejtësia e re që kërkojmë apo jemi kthyer pas në kohën e rënies së komunizmit kur në kushte emergjence për shkak të mungesave në sistemin e drejtësisë, juristë të diplomuar në fakultetin e Drejtësisë apo edhe Ekonomistë të rinj, zhvilluan një kurs 6-mujor dhe u emëruan gjyqtar apo prokuror?
Kjo panoramë duket se po na kthen pas, në vitin 1997 me të njëjtin sistem drejtësie, por me emra të rinj./ZËRI