
TIRANË- Në një kohë kur tregu po zien nga pikëpyetjet e shumta në lidhje me të ardhmen e tregut imobiliar, mes agjencive duket se po ndodh një trend i dyshimtë. Në muajt e fundit ka nisur një seri postimesh për apartamente të ndryshme, ku reklamohet ulja e çmimeve.
Zonat janë nga më të ndryshme, madje ulje është bërë edhe në apartamente që po shiten në Durrës apo Vlorë, të cilat janë zona bregdetare dhe të prirura për të tërhequr investitorë.
Postimet e bëra në rrjetet sociale nga agjenci të ndryshme imobiliare, të përzgjedhura rastësisht nga ZËRI, nuk japin asnjë shpjegim në lidhje me uljen e këtyre çmimeve. Por, në disa vihet re që ka një diferencë shumë të madhe me çmimin e mëparshëm, 60 mijë euro.
Çfarë ka ndodhur me një pronë që çmimi i ulet me 60 mijë euro? Është amortizuar? Ka shumë kohë që është stok?
Këto janë pyetje të cilave mund tu përgjigjen vetëm agjencitë, por trendi tregon shumë për tregun imobiliar.