
KORÇË- Drejtori i Burgut të Drenovës Fatjon Fasho dhe shefi i policisë së këtij burgu, Sokol Kacoli janë shkarkuar nga detyra. Shkak për këto vendime është bërë sekuestrimi i një telefoni në qelinë e Laert Haxhiu. Celulari i Haxhiut është sekuestruar nga prokurorët e posaçëm pak ditë më parë, por nuk dihet ende se çfarë është gjetur brenda aparatit që ka sjellë shkarkimin e drejtorit të burgut të Drenovës dhe të zyrtarit tjetër.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha shkruan se SPAK po kryen hetime duke kqyrur jo vetëm aparatin, por edhe duke bashkëvepruar me autoritete të tjera, pasi ka dyshime që bisedat e të ‘fortit’ të Lushnjës janë sinjalizuar nga përgjimet që po mbahen për një çështje tjetër nën zhvillim e sipër.
Laert Haxhia u ekstradua nga Greqia pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani, i cili zbardhi të paktën 17 krime, mes tyre vrasje, tentative për vrasje, vendosje tritoli dhe trafik të lëndëve narkotike./ZËRI/