
SHKODËR- Siguria ushqimore është një prej sfidave më të mëdha me të cilën ndeshen konsumatorët, dhe sot një tjetër produkt i ndaluar duket se i është shtuar listës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka njoftuar bllokimin e një sasie prej 114 kilogramësh djathë kaçkavall dele.
Sipas informacionit zyrtar të AKU-së sasia e djathit është bllokuar, pas kryerjes së analizave laboratorike dhe është bërë ndërprerja e menjëhershme e procesit të prodhimit, ambalazhimit dhe paketimit të djathit. Por AKU nuk jep informacion konkret mbi shkaqet që sollën bllokimin e produktit dhe as emrin e subjektit ku prodhohej. Institucioni konfirmon dhe asgjësimin e produktit, por nuk dihet nëse kemi të bëjmë me prani të një substance të ndaluar në përbërjen e djathit apo me probleme në kushtet higjieno-sanitare ose paketimin?