TIRANË- Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, të arrestuarit e dyshuar për mashtrimin e kreut të FSHF, Armand Dukën për t’i marrë 100 mijë euro kanë dhënë dëshminë e tyre para hetuesve. Lidhur me rastin Orest Balla ka deklaruar se kishte marrë një mesazh në Instagram nga një person i panjohur, i cili i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të një komunikimi me një person tjetër. 23-vjeçari ka deklaruar se nuk e njeh Edison Korrën, ndërsa pretendon se pas mesazhit në Instagram, një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni, përmes të cilit kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës, i cili në të vërtet ishte agjenti i policisë. Por ndryshe nga Ores Balla, Edison Korra ka dhënë një verison tjetër lidhur me rastin. Korra ka deklaruar se Orest Balla e kishte kontaktuar në një lokal dhe i kishte kërkuar të merrte një porosi. Këto dëshmi paraqiten kontradiktore mes tyre, duke ngritur dyshime mbi versionet e dhëna nga dy të arrestuarit dhe mbi rolin që secili prej tyre ka pasur në skemën e dyshuar të mashtrimit.
/ZËRI