TIRANË- Një kamer e vendosur pranë burgut të Drenovës dyshohet se është përdorur për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos, i cili u plagos me armë zjarri në Pogradec. Kamera u konstatua rreth 4 ditë më parë, e vendosur në një nga plepat përgjatë rrugës që të çon në burgun e Drenovës. Pas verifikimit të pamjeve filmike u identifikuan si autorë të vendosjes së saj vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli. Dyshohet se dy vëllezërit Agolli e kanë vendosur kamerën për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos dhe për ta sulmuar në momentin që do të shkonte të takonte vëllain e tij Sindi Syzo, i cili vuan dënimin në burgun e Drenovës, për plagosjen me thikë të Nikollës në berberhanen e tij. 35-vjeçar Brian Syzo mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri më 29 qershor, ndërsa i riu ndodhej i parkuar me mjetin e tij në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Hetimet e Policisë kanë çuar në identifikimin e katër personave të dyshuar si autorë të atentatit. Dy prej tyre janë arrestuar, Nikolla Agolli dhe David Prifti, ndërsa dy të tjerë Meardi Berberi dhe Edison Agolli janë shpallur në kërkim.
/ZËRI