KOSOVË- Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë bërë publike rrethanat e ndalimit të 26vjeçares Blerta Hyseni, e cila humbi jetën në spital pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë një operacioni antidrogë. Në automjetin ku udhëtonte së bashku me një person tjetër, autoritetet sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar si kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë.
Sipas njoftimit të institucioneve Hyseni dhe personi tjetër u ndaluan më 15 nëntor në pikën kufitare të Vërmicës teksa udhëtonin me një automjet tip BMW. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi lëndën narkotike dhe municionin.
Me urdhër të prokurorit, kontroll u ushtrua edhe në banesën e personit tjetër të dyshuar, ku u gjet një pajisje për identifikimin e sinjaleve GPS dhe kamerave.
Pas ndalimit 26-vjeçarja nisi të intervistohej në prani të avokatit mbrojtës, por gjatë procedurës gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe u kërkua ndihma e urgjencës. Në njoftimin zyrtar policia përshkruan edhe momentet e transportimit të saj drejt spitalit.
“Për të është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas dhënies së ndihmës së parë në vendngjarje, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm. Megjithatë rreth orës 01:30 policia është njoftuar nga mjekët se e dyshuara kishte ndërruar jetë” thuhet në njoftim.
Pas ngjarjes në hetime u përfshinë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kujdestar. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 26- vjeçares u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminimet përkatëse.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kanë siguruar dokumentacionin mjekësor dhe provat fillestare për të zbardhur rrethanat e vdekjes./ZËRI