TIRANË-Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho gjatë një takimi me gazetarët ka komentuar hetimet e fundit në vend. Sa i përket arrestimit të ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, Braho ka sqaruar se kjo ngjarje nuk ka ndikuar në marrëdhëniet institucionale mes SPAK dhe SHISH.
Kreu i SPAK theksoi se komunikimi dhe bashkëpunimi me Shërbimin Informativ të Shtetit ka vijuar normalisht, pavarësisht masës së marrë ndaj ish-drejtueses së tij.
“Pavarësisht masës ndaj Vlora Hysenit, bashkëpunimi me SHISH-in ka vijuar. Besoj institucioneve dhe nuk mund t’i përgjithësoj nga veprimet e një individi”, deklaroi Braho.
Ish-drejtuesja e SHISH ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie', pasi akuzohet nga SPAK se i ka ofruar ndihmë biznesmenit Ergys Agasi gjatë kohës që ai ishte në arrati dhe ndarje të sekreteve shtetërore.
Kryeprokurori Klodian Braho u pyet edhe lidhur me deputeten e Partisë Socialiste, Sara Mila e cila së fundmi u paraqit në SPAK për dyshime mbi korrupsionin zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Braho nuk ka dhënë detaje lidhur me çështjen për të cilën është pyetur deputetja, duke theksuar se ajo është ende nën hetim.
Pyetje: Sara Mila a është marrë nën hetim?
Braho: Është çështje nën hetim dhe s’mund të jap përgjigje për sa kohë nuk ka përfunduar.
Sara Mila u paraqit më 11 nëntor në ambientet e SPAK, ku qëndroi rreth 40 minuta. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Mila deklaroi se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen dhe se kishte dhënë dëshminë e saj. Sipas raportimeve dhjetëra familje dyshohet se janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike me qëllim që të votonin për kandidaten e atëhershme, Sara Mila.