ITALI-Një 43-vjeçar shqiptar, banues në Certosa di Pavia të Italisë, është plagosur rëndë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës, më 14 nëntor. Mediat fqinje raportojnë se 43-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, është qëlluar me armë zjarri ndërsa ishte duke lëvizur me makinë. Si pasojë e të shtënave ka marrë një plumb në hije dhe është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas raportimeve mediatike i plagosuri është banues i rregullt në Certosa di Pavia të Italisë, me profesion murator, familjar dhe pa precedentë penalë apo probleme të mëparshme me policinë dhe drejtësinë. Në momentin e ngjarjes ai ndodhej nën praninën e kolegut të tij, po me origjinë shqiptare. Në lidhje me këtë, mediat italiane shkruajnë se nuk përjashtohet mundësia që objektiv i atentatit të ketë qenë pikërisht ky i fundit.
Dy miqtë, pak para orës 19:30 të së shtunës, sapo kishin dalë nga një lokal, ku kishin pirë së bashku një aperitiv, dhe po ktheheshin drejt banesave të tyre, ku familjet i prisnin për darkë. Miku i 43-vjeçarit e kishte parkuar makinën e tij në zonën e Conca del Naviglio dhe do ta shoqëronte me makinë deri në shtëpi. Pasi dolën nga lokali, ata u nisën së bashku në këmbë dhe kishin mbërritur në parking, kur aty kaloi makina nga e cila u qëllua.
Automjeti, markën dhe modelin e të cilit dëshmitari i vetëm okular nuk arriti t'i dallonte, po lëvizte përgjatë bulevardit të Monumentit, në drejtim të semaforit në kryqëzimin me ish-rrugën shtetërore 35, të njohur si "dei Giovi". Makina uli shpejtësinë, por nuk u ndal dhe as nuk hyri në parking. Dikush uli xhamin e përparmë në anën e djathtë, nga ana e pasagjerit, dhe qëlloi me armë zjarri.
Miku i tij telefonoi menjëherë shërbimet e urgjencës, si dhe familjarët e të plagosurit. Pa pritur mbërritjen e ambulancës në vendngjarje, familjarët e transportuan të plagosurin me automjetin e tyre drejt urgjencës së Poliklinikës San Matteo në Pavia.