TIRANË-Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2025, brenda ambienteve të gjykatës. Në bankën e të akuzuarve do të ulen Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj.
Elvis Shkambi është marrë i pandehur për “Vrasje të funksionarëve publikë”, tentativë vrasjeje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje, xhaxhai i tij akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa punonjësi i sigurisë së gjykatës, për shpërdorim detyre. Ky i fundit, Banush Koxhaj, lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi.
Ngjarja ndodhi më 6 tetor të 2025, rreth orës 15:40, ku autori Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallë së gjyqit pasi ky i fundit shpalli vendimin, mbi çështjen e pronësisë që po shqyrtonte, ku familja Shkëmbi ishte në konflikt me disa familje të tjera në Shkodër. Më pas autori qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.
Pas krimit të rëndë Shkambi ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë. Gjatë dëshmive të tij autori, Elvis Shkëmbi ka pranuar se armën e zjarrit e ka patur me vete edhe në seancat e mëparshme gjyqësore dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi ka qenë në djeni.
