Aktualitet

THELLOHET SKANDALI/ Lekët e AKSHI-t përfundonin tek vëllai i Vlora Hysenit? SPAK heton transfertën 450 mijë € drejt Gjermanisë

Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, lidhja mes tyre nuk lidhet vetëm me shkëmbimin e mundshëm të informacioneve, por dyshohet se mund të ketë pasur edhe një komponent financiar.

Redaksia Zëri
THELLOHET SKANDALI/ Lekët e AKSHI-t përfundonin tek vëllai i
ergys agasi-vlora hyseni

TIRANË- Detaje të reja dalin në dritë lidhur me marrëdhënien mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni. Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, lidhja mes tyre nuk lidhet vetëm me shkëmbimin e mundshëm të informacioneve, por dyshohet se mund të ketë pasur edhe një komponent financiar.

Lidhur me këtë, burime nga SPAK bëjnë me dije për Ora News se hetuesit kanë dërguar letërporosi në Kosovë dhe në Gjermani. SPAK dyshon se vëllai i Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër, ka kryer disa transferta të dyshimta, të cilat aktualisht po vlerësohen nga hetuesit.

Këtu hyn në skenë një transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k., e cila është anuluar më 27.02.2024, e zbuluar nga prokurorët dhe agjentët e BKH-së. Bëhet fjalë për një transfertë që kishte si destinacion shoqërinë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” dhe ishte kryer me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”, datë 26.02.2024.

Nga verifikimet rezulton se përfaqësues i shoqërisë gjermane është Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit. Ndërkohë që për këto transferta dhe marrëdhëniet e shoqërisë “Fortis Beton” sh.p.k., e përfshirë në dosjen e AKSHI-t, me shoqëritë gjermane, janë pyetur Ardit Sota dhe Genci Shima. Këta të fundit, kanë deklaruar se nuk nuk kanë dijeni për punimet dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e shoqërive gjermane.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme parashtron se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi mund të ketë përdorur fondet e AKSHI-t për të korruptuar Vlora Hysenin.

Sipas SPAK-ut, fakti që transferta prej 450 mijë eurosh u anulua më 27 shkurt 2024, nuk e përjashton dyshimin se Hyseni mund të ketë premtuar apo pranuar një përfitim të parregullt në këmbim të përcjelljes së informacioneve sekrete të institucionit drejt Agasit.

Gjithashtu, SPAK ngre dyshimet se kjo skemë mund të jetë përdorur nga personat nën hetim për të fshehur origjinën dhe natyrën kriminale të produkteve të veprës penale të korrupsionit, si dhe të përfitimeve të paligjshme nga prokurimet publike të AKSHI-t.

MOS HUMB