TIRANË- Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e arrestit në shtëpi për Leli Krajën, por ish-administratori i “Eco-Elb”, i ka mohuar akuzat për korrupsion. Në seancën e 29 tetorit kur Apeli i Posaçëm la në fuqi masën, mësohet se Kraja ka pretenduar se nuk ka kërkuar dhe as nuk ka marrë para nga biznesmeni Artan Topi.
Madje, sipas tij, zarfin me 4 milionë lekë të vjetra e kishte gjetur në pjesën e pasme të automjetit të tij, pa pasur dijeni se kush e kishte vendosur aty.
Sipas dosjes së bërë publike nga Boldneës, biznesmeni Artan Topi, pronar i shoqërisë “Arteo 2018”, e kishte kallëzuar Kajën më 29 shtator, duke pretenduar se ky i fundit i kishte kërkuar 400 mijë lekë të reja për të vijuar pagesat për një tender të fituar nga kompania e tij pranë “Eco-Elb”.
Konretisht, Arteo 2018” kishte fituar në nëntor të vitit 2025 tenderin me objekt “Blerje kamioni vetëshkarkues”, me fond limit 4.1 milionë lekë të reja. Kontrata mes palëve ishte nënshkruar në fillim të vitit 2026, ndërsa pagesat do të kryheshin me këste. Por, Topi kishte deklaruar se që prej shkurtit 2026 kompania “Eco-Elb” nuk kishte kryer pagesa në llogarinë e tij, duke argumentuar se kamioni kishte probleme teknike. Në fund të shtatorit, sipas biznesmenit, ai kishte biseduar me Kajën për të gjetur një zgjidhje, por administratori i kishte kërkuar 400 mijë lekë të reja në këmbim të vijimit të pagesave.
Ndërkohë, pas kallëzimit, Topi bashkëpunoi me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke rënë dakord për kryerjen e veprimeve të stimuluara. Sipas dosjes, biznesmeni shkoi në ambientet e “Eco-Elb”, i shoqëruar nga shoferi i tij, i cili ishte agjent i BKH-së. Fillimisht, ai takoi Kajën në zyrë, por më pas, sipas dosjes, u orientua që zarfin me para ta vendoste në pjesën e pasme të automjetit “Pick-Up” që përdorte administratori. Në dosje theksohet se Topi e la zarfin në automjet, ndërsa Kaja u afrua pak më vonë, e mori atë dhe e vendosi në xhepin e xhaketës. Në atë moment ndërhynë agjentët e BKH-së, të cilët po ndiqnin veprimet në terren, dhe e arrestuan në flagrancë.
Megjithatë, një nga çështjet kryesore të shqyrtuara nga gjykata ishte mënyra se si zarfi i vendosur në pjesën e pasme të automjetit përfundoi në xhepin e xhaketës së Kajës.
Leli Kraja u arrestua në flagrancë më 5 tetor në kuadër të një aksioni të SPAK dhe BKH në Elbasan, pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjatë arrestimit, sipas njoftimit të SPAK, Krajës i është gjetur dhe sekuestruar shuma prej 400 mijë lekësh të reja. /ZËRI