Politikë

Sot, Dita e Alfabetit! Rama uron shqiptarët: Nën hijeshinë e shkronjave jeton kujtesa e kombit tonë

Prej vitit 2024, 22 nëntori është shpallur festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë

zh.ll
Sot, Dita e Alfabetit! Rama uron shqiptarët: Nën hijeshinë e
foto ilustrim: edi rama

TIRANË- Sot, më 22 nëntor, është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Çdo vit, kjo ditë festohet për të përkujtuar Kongresin e Manastirit 1908, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve, ku u vendos alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe.

Përmes disa postimeve në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh urimi të shoqëruar me fjalë simbolike dhe poezi në sfond. Rama ka vijuar urimin me një video që përmban fotografi historike nga Kongresi i Manastirit, të rikthyera përmes teknologjisë.

"MIRËMËNGJES dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë", shkruan Rama në njërin postim.

Në tjetër postim, në mesazhin e tij, Rama kujton rëndësinë e vendimit të delegatëve shqiptarë për një alfabet të përbashkët, duke theksuar se ky vendim shënoi një hap të rëndësishëm për identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.

Prej vitit 2024, 22 nëntori është shpallur festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë

Kongresi u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut), në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që sot është shndërruar në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme të shqiptarëve, si dhe 18 vëzhgues. Delegatët përfaqësonin klube patriotike dhe intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare.

Kryetar i Kongresit ishte Mit’hat Frasheri, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Ndër delegatët e tjerë të shquar ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi (gruaja e vetme pjesëmarrëse), dhe Fehim Zavalani. Në fjalimin e hapjes, u theksua rëndësia e krijimit të një alfabeti unik për të unifikuar gjuhën shqipe dhe për të ndihmuar në përhapjen e arsimit kombëtar.

Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme./ZËRI

MOS HUMB