TIRANË- Moti i paqëndrueshëm pritet të përfshijë disa qarqe të vendit me reshje shiu që në zona të caktuara do të shoqërohen me shtrëngata dhe erëra të forta. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron për rrezik nga vërshimet e lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitjet e dherave kryesisht në veri të vendit.
Shkodra, Kukësi dhe Lezha paraqiten si qarqet më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve. Ndërkohë, përmbytje të lokalizuara mund të regjistrohen edhe në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit në varësi të kapacitetit të rrjetit të kanalizimeve.
Sipas parashikimit të IGJEO- s reshjet mesatare deri lokalisht intensive do të përfshijnë Shkodrën, Kukësin, Dibrën, Lezhën, Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin ndërsa në Vlorë priten reshje mesatare me shtrëngata. Në qarqet e tjera moti do të karakterizohet nga reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.
Situata pritet të qetësohet ditën e nesërme më 17 nëntor kur parashikohen reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit.
Sa u përket temperaturave ato do të luhaten nga 14 deri në 19 gradë Celsius në zonat bregdetare 12 deri në 20 gradë në zonat e ulëta dhe 6 deri në 15 gradë në zonat malore. Era do të fryjë me intensitet mesatar, ndërsa përgjatë bregdetit pritet të forcohet./ZËRI