DURRËS-Pjesë dekorative të fasadës së një pallati 15-katësh janë shkëputur mbrëmjen e djeshme në Durrës, duke rrezikuar banorët dhe kalimtarët. Pllakat dekorative u shkëputën dhe ranë mbi një automjet, duke rrezikuar edhe persona që kalonin aty pranë.
Paraditen e sotme shërbimi zjarrfikës ndërhyri për të hequr elementët që mund të shkeputeshin në çdo moment. Ndërhyrja ka qënë e vështirë për shkak të lartësisë së godinës dhe pamundësisë së zjarrfikësve për të arritur në katet e sipërme. Edhe administratori i pallatit, Flamur Bala, është shprehur se problemi prek disa pjesë të fasadës dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit.
Sipas tij, elementet dekorative përbëhen nga 12 rreshta që shtrihen nga kati i parë deri në të trembëdhjetin, me madhësi rreth dy metrash dhe një lartësi totale që kap mbi 40 metra.
“Tani po konstatojnë problematikën e gipsave dekorative, të cilat rrezikojnë të bien dita-ditës. Ashtu si mbrëmë që ranë dhe rrezikuan jetën e banorëve. Po konstatojmë se si mund të hiqen dhe ku mund të ndërhyhet. Por forcat zjarrfikëse nuk i kanë kapacitetet e duhura mbi katin e shtatë. Kështu që, unë do ti bëj një letër Bashkisë së Durrësit si dhe do ja çoj si kërkesë edhe Njësisë Administrative të lagjes 1, ku do ti kërkoj ndërhyrjen dhe marrjen e masave emergjente që të parandalojnë ndonjë rrezikshmëri fatale të jetës. Elementet dekorative janë 12 rreshta që variojnë nga kati i parë deri në katin e trembëdhjetë, të gjëra dy metra dhe lartësia e tyre shkon mbi 40 metër”, tha administratori.