TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka thirrur për t’u marrë në pyetje protestuesin Erjon Vishkulli, i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit. Fletëthirrja, e firmosur nga prokurori Ndini Tavani, i është dërguar 28-vjeçarit me kërkesën për t’u paraqitur para grupit hetimor më 25 nëntor, në orën 11:00. Erjon Vishkulli u rikthye në Shqipëri pak ditë më parë, pasi kreu disa ndërhyrje kirurgjikale në Itali.
28-vjeçari Erjon Vishkulli mbeti i plagosur gjatë protestës së 24 tetorit. I riu nga Elbasani mbeti i plagosur në sy gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në sheshin 'Skënderbej' në Tiranë. Vishkulli iu nënshtrua një operacioni në sy, ndërsa më pas u transportua drejt Italisë për mjekim më të specializuar.
Plagosja e tij gjatë protestës është nën hetim dhe prokuroria po pret letërporosinë për të konfirmuar nëse ai u qëllua me plumb gome apo është dëmtuar me sende të tjera. Lidhur me këtë, raportohet se prokurori ka kërkuar nga policia listën e oficerëve që ishin në detyrë atë ditë dhe cilët prej tyre përdornin armët me plumba gome./ZËRI