Aktualitet

 Reshje intensive dhe shtrëngata në disa qarqe, AKMC paralajmëron për përmbytje dhe rrëshqitje dherash

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) paralajmëron për rrezikun e grumbullimit të ujit në zonat urbane si dhe për vërshime të përrenjve dhe rrëshqitje dherash në zonat malore.

M.K.
 Reshje intensive dhe shtrëngata në disa qarqe, AKMC
foto ilustruese

TIRANË- Moti i paqëndrueshëm pritet të përfshijë disa qarqe të vendit gjatë pasdites së kësaj të enjteje dhe ditës së premte, me reshje intensive shiu dhe shtrëngata. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) paralajmëron për rrezikun e grumbullimit të ujit në zonat urbane si dhe për vërshime të përrenjve dhe rrëshqitje dherash në zonat malore.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, këtë të enjte reshjet do të prekin qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa të premten pritet të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive në Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.

AKMC u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje, ndërsa qytetarëve u bën thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Njoftimi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile

͏Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme, 12 nëntor, në qarqet Shkodër dhe Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

Për ditën e nesërme, 13 nëntor, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Si pasojë e reshjeve, në disa zona urbane mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit, ndërsa në zonat malore kërkohet vëmendje ndaj vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të mundshme të dherave.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga strukturat vendore marrjen e masave parandaluese, monitorimin e zonave me risk dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve për ndërhyrje në rast nevoje.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

AKMC vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse, me prioritet sigurinë e qytetarëve./ZËRI

MOS HUMB