SPANJË- Luka Beqiraj, 39-vjeçari shqiptar, u ekzekutua në mes të ditës në Spanjë. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, në një kompleks sportiv në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes.
Ndërkohë, mediat spanjolle i kanë kushtuar vëmendje ngjarjes, duke raportuar edhe mbi të kaluarën e 39-vjeçarit shqiptar. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Beqiraj kishte një të kaluar kriminale dhe dyshohet se kishte qenë i përfshirë në rrjete mafioze italo-shqiptare, të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Deri më tani, nuk ka asnjë autor apo emër të dyshuar, ndërsa autoritetet nuk kanë përjashtuar asnjë pistë hetimi. Të gjitha hipotezat mbeten të hapura në këtë kohë, raportojnë mediat spanjolle, megjithëse mund të jetë një larje hesapesh për borxhet që Luka mund të ketë nga e kaluara e tij kriminale.
Luka-trafiku i drogës dhe armëve
Luka Beqiraj kishte lindur në vitin 1987 në qytetin e Vlorës. Sipas mediave spanjolle, ai kishte qenë i lidhur me grupe kriminale italo-shqiptare, të përfshira në trafikun e drogës dhe armëve të zjarrit.
Në vitin 2016, ai ishte arrestuar në Shqipëri, pasi dyshohej se kishte ushtruar dhunë të rëndë ndaj një personi tjetër, duke e plagosur rëndë, raportojnë mediat shqiptare të kohës.
Tre vite më vonë, në vitin 2019, Beqiraj u arrestua sërish gjatë operacionit të gjerë “Fiori di Primavera” (Lulet e Pranverës), të zhvilluar nga Policia Financiare italiane. Operacioni përfshiu më shumë se 100 efektivë dhe përfundoi me 27 persona të arrestuar, pas dy vitesh hetimesh.
Sipas hetimeve italiane, personat e arrestuar dyshoheshin për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe për posedim dhe futje në Itali të armëve dhe municioneve të luftës.
Mes 21 shqiptarëve të arrestuar është edhe emri i të ndjerit Luka Beqiraj, së bashku me një imazh të bërë gjatë identifikimit nga policia. Sipas të njëjtave raportime, ai dyshohej gjithashtu në Shqipëri për përfshirje në vrasjen e dy personave.
Grupin në të cilin dyshohet se bënte pjesë Beqiraj, kishte baza operative në provincën e Leçes dhe degë në rajone të tjera italiane me aktivitet të lartë mafioz (Kalabri, Toskanë, Emilia Romagna, Siçili, Liguria dhe Lombardi).
Costa Blanca, strehë për personat me precedentë kriminalë
Sipas raportimit të mediave, në dekadat e fundit, Costa Blanca është bërë vendi ideal për të fshehur një të kaluar kriminale. Vrasës, rrëmbyes, trafikantë droge dhe hajdutë banojnë në provincë për shkak të lidhjeve të shkëlqyera të transportit, afërsisë me bregdetin e Mesdheut, pranisë së aeroporteve dhe marinave, si dhe fluksit të madh të turistëve që hyjnë dhe dalin nga rajoni.
Ata kërkojnë vende ku tashmë kanë mbështetje logjistike dhe një komunitet të përbërë nga bashkatdhetarë ose bashkëpunëtorë të lidhur me organizatat e tyre kriminale.
Megjithatë, ata nuk janë imunë ndaj grupeve të tjera rivale që e kanë bërë larjen e hesapeve metodën e tyre kryesore për të shënuar territorin.
Eksperti José Luis Gil, bashkëdelegat në Spanjë i Shoqatës Evropiane të Analistëve të Inteligjencës Kriminale (EACA), shpjegoi për median se "kur ata kryejnë një akt publik dhune, siç është një vrasje në mes të ditës ose në një parking, ata e bëjnë këtë me një qëllim të qartë komunikues: t'u dërgojnë një paralajmërim bandave rivale, të ruajnë kohezionin e brendshëm ose të kryejnë një larje hesapesh shembullore".
Më parë, klanet përdornin thika, pistoleta ose pushkë gjuetie për qëllime frikësimi, por situata ka ndryshuar me mbërritjen e mafias së përbërë nga qytetarë gjeorgjianë, shqiptarë, serbë ose rusë, shumë prej të cilëve kanë trajnim dhe përvojë ushtarake ose policore në vendet e tyre të origjinës.
Një nga zonat e kuqe ku po luhet kjo lojë në tabelën e shahut kriminal është Orihuela Costa, ku Garda Civile vazhdon operacionin e kërkimit dhe kapjes së vrasësit të Luka Beqirajt.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.
Siç raportohet nga mediat spanjolle, viktima Luka Beqiraj ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Dëshmitarët njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle. Trupi i viktimës mbeti pranë tarracës së lokalit, deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante.
Sot, pritet të kryhet autopsia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ekzekutimit dhe për të identifikuar autorin./ZËRI