TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga tryeza e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ka komentuar protestat e zhvilluar nga studentët javët e fundit. Kreu i qeverisë përsëriti se pjesëmarrja e fëmijëve në protesta të dhunshme është për t’u dënuar. Rama thkesoi se dhuna është relativizuar, justifikuar dhe madje himnizuar.
Edi Rama: Kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe të drejtës së gjithkujt për të pasur një qëndrim ndryshe, për të qëndruar dhe për të bërë mësim, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem. Kjo është natyrisht e lehtë të ekspozohet dhe kritikohet, por nëse mbetemi te ekspozimi dhe kritika, do ta kemi përpara në forma dhe në momente nga më të ndryshmet si një mjet të ri të adoptuar nga shoqëria, që pastaj mund të përdoret individualisht nga secili. Mund të kthehet në një mjet që mund të përdoret nga nxënësit, dhuna kundër pedagogut, kundër universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes. Befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe tejet shqetësuese, për shkak të pranisë së shumë të miturve.