QAFË THANË- Në pikën kufitare të Qafë Thanës pritet të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar me një ndalesë “One Stop Shop”.
Mëngjesin e kësaj të diele, kyeministri Edi Rama mbërriti në pikën kufitare të Qafë Thanës. I pranishëm në aktivitet ishte edhe homologu i tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickocski.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rëndësia e këtij sistemi, duke e cilësuar një hap konkret transformimi për miliona njerëz që kalojën këtë kufi.
“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.
Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.
Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem.
Kam edhe një ankesë për Hristianin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.
Sistemi i ri “One Stop Shop” synon lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të kontrollit kufitar mes dy vendeve. Përmes këtij sistemi do të mundësohet kryerja e kontrolleve në një ndalesë të vetme, ndryshe nga sa ka qenë më parë./ZËRI