
TIRANË- Portabiliteti i numrit ka qenë vazhdimisht një proces problematik për përdoruesit. Ky shërbim ende ka një shkallë shumë të lartë të refuzimit të kërkesave dhe një numër të madh ankesash pranë autoritetit rregullator. AKEP ka përgatitur një rregullore të re, që synon të përmirësojë procesin, me synimin për të adresuar problemet e shfaqura dhe për të reflektuar ndryshimet e ligjit të ri për komunikimet elektronike.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur një projektrregullore për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit.
Hartimi i rregullores së re lidhet me ndryshimet që parashikon ligji i ri “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, por edhe ndryshime që synojnë adresimin e problematikave të raportuara nga pajtimtarët ose të evidentuara nga AKEP në lidhje me refuzimin e kërkesave për portim nga operatorët dhënës. Sipas të dhënave nga AKEP, portabiliteti i numrave celularë arriti nivelin më të ulët historik vitin e kaluar. Gjatë vitit 2024 u portuan afërsisht 19500 numra celularë, 50% më pak krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e AKEP tregojnë gjithashtu se shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për portabilitet numri ngelet mjaft e lartë. Për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan.
Shkalla e refuzimit të kërkesave ka pësuar rënie nga niveli prej gati 70% të një viti më parë, por, pavarësisht kësaj, procesi vazhdon të ketë problematika.
Sipas AKEP, problematikat e raportuara në ankesat e pajtimtarëve lidhen me refuzimet e kërkesave për portim të numrit nga operatori transferues, për arsye të mospërputhjes së ID së përdoruesve me parapagim në sistemet e operatorit transferues me ID në kërkesën për portim të dërguar nga operatori përfitues, si dhe detyrimeve kontraktore të pajtimtarit me paspagim (kontratë) tek operatori transferues.
Megjithatë, AKEP shprehet se numri i ankesave për portimin e numrit është reduktuar ndjeshëm në krahasim me vitin 2023. Portimi i numrave për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike të lëvizshme filloi në vitin 2011, ndërsa për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike fikse nisi në vitin 2012. Deri në fund të vitit 2024 rezulton se janë portuar në total rreth 1.3 milionë numra celularë dhe rreth 20 mijë numra fiks. Sasia e numrave celularë të portuar gjatë një viti në periudhën 2011-2024 ka qenë rreth 100 mijë portime në vit dhe pas arritjes së pikut në vitin 2017 (mbi 250 mijë portime), ka ardhur në rënie,
përveç periudhës 2020-2021 ku sasia e numrave celularë të portuar u rrit më shumë se dy herë në krahasim me vitin 2019.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore (por jo më shumë se 50 milionë lekë) të operatorit të komunikimeve elektronike, nëse ai nuk përmbush detyrimet ligjore të vendosura për portabilitetin e numrave.
Rimbursim i krediteve kur portohet numri
Sipas ligjit të ri “Për komunikimet elektronike”, kur një përdorues përfundon një kontratë, ai ruan të drejtën për portimin e numrit të tij te një operator tjetër, për të paktën një muaj nga data e përfundimit të kontratës së mëparshme, përveç rastit kur përdoruesi vetë heq dorë nga kjo e drejtë.
Gjithashtu, në reflektim të parashikimeve të ligjit të ri, projektrregullorja përcakton edhe që pajtimtarët e kategorisë konsumator që janë përdorues me parapagim të shërbimeve celulare kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim nga operatori dhënës për kreditet e mbetura, ose të papërdorura të tyre në datën e portimit të numrit.
Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit për kreditet e mbetura në bazë të kërkesës së konsumatorit me parapagim (të depozituar gjithmonë tek operatori dhënës). Përdoruesit do t’i vendoset një afat për të paraqitur kërkesën për rimbursim, afat i cili nuk duhet të jetë më pak se 14 ditë kalendarike nga data e portimit të numrit.
Operatori dhënës duhet të ofrojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga konsumatorët në pikat e shitjes, si dhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve elektronike online (p.sh. email ose kërkesa të depozituara online) që operatori mund të përdorë në marrëdhëniet me pajtimtarët dhe që mundësojnë identifikimin e këtyre të fundit.
Operatori dhënës ka të drejtë të aplikojë një tarifë administrative për procesimin e kërkesës për rimbursimin vetëm kur ajo parashikohet në kontratën ekzistuese me konsumatorin.
Tarifa e aplikuar në këto raste duhet të jetë proporcionale dhe në raportin e duhur ndaj kostove aktuale të operatorit për ofrimin e rimbursimit. Ajo duhet të jetë fikse dhe e pavarur nga vlera e rimbursuar, por në çdo rast jo më e lartë se 500 lekë (me TVSH). Kredite të rimbursueshme të pajtimtarit me parapagim është vlera monetare e krediteve të parapaguara nga pajtimtari konsumator, të cilat janë të vlefshme për t’u përdorur apo vlera e mbetur e tyre në llogarinë e përdoruesit me parapagim (gjendja/balanca e mbetur e llogarisë me parapagim) në momentin e ndërprerjes së shërbimit nga operatori dhënës për shkak të portimit të numrit.
Në këtë vlerë nuk përfshihen kreditet e përdoruara tashmë për blerje të paketave me parapagim dhe as vlera e krediteve të ofruar nga operatori dhënës si bonus apo promocion për pajtimtarin. Operatori duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit me pagesë në cash në një pikë shitjeje ose me transfertë bankare nëse kjo kërkohet nga konsumatori vetë.
Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës për rimbursim. Operatori dhënës, brenda 3 ditëve pune nga marrja e kërkesës për rimbursim, duhet të njoftojë konsumatorin me mjet të qëndrueshëm (SMS për kërkesat e paraqitura në pikën e shitjes të operatorit dhe email për kërkesat e paraqitura me email ose online) duke e informuar në lidhje me vlerën dhe mënyrën e rimbursimit, në rast se kërkesa për rimbursim është e vlefshme; ose arsyen e mospranimit të kërkesës për rimbursim (për shembull, nëse kërkesa është depozituar jashtë afatit të përcaktuar në rregullore ose konsumatori aplikues për rimbursim nuk ka kredite të mbetura të vlefshme në datën e ndërprerjes së shërbimit/portimit të numrit).
Kompensim për vonesat në portabilitet
Ligji i ri gjithashtu parashikon edhe të drejtën e kompensimit të përdoruesit në rast të vonesave ose abuzimeve në procesin e portimit të numrit.
Sipas ligjit të ri, ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik duhet të ofrojnë në kontratën e shërbimit edhe çdo tarifë në lidhje me ndërrimin dhe marrëveshjet e kompensimit dhe rimbursimit për vonesën ose abuzim të ndërrimit, si dhe informacion në lidhje me procedurat përkatëse.
Projektrregullorja saktëson më tej se vonesat ose abuzimet të kryera nga operatori (qoftë ai dhënës ose marrës) në procesin e portimit të numrit do të konsiderohen kryerja e procesit të portimit të numrit nga operatori marrës pa kërkesë nga pajtimtari, refuzimi ose pranimi me kusht i kërkesës për portim numri nga operatori dhënës në kundërshtim me përcaktimet e rregullores, tejkalimi i afateve nga operatori dhënës në përgjigje të kërkesës për portim ose tejkalimi i afateve nga operatori marrës për hedhjen në sistemin përkatës të portabilitetit të kërkesës.
Projektrregullorja nuk përmban përcaktime konkrete lidhur me vlerën e kompensimit që mund të përfitojë përdoruesi në këto raste apo për mënyrën e llogaritjes së saj.
Megjithatë, kjo çështje është pjesë e konsultimit publik dhe palëve të interesit u është drejtuar pyetja nëse vlerat e kompensimit duhet të përcaktohen nga vetë operatorët në termat dhe kushtet e përgjithshme të ofrimit të shërbimit, apo duhet të përcaktohen nga AKEP në rregullore. Kjo çështje do të vendoset në përfundim të fazës së konsultimit publik.
Ndryshon procedura për numrat me kontratë
Përveç përditësimeve që lidhen me ligjin e ri, AKEP gjithashtu ka propozuar një sërë ndryshimesh për të adresuar problematikat e evidentuara në proces, si dhe për të përmbushur dhe Rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë. Në projektrregullore nuk parashikohet më opsioni i përgjigjes negative të operatorit dhënës se kërkesa për bartje pranohet, por nuk mund të ekzekutohet sepse ky numër ka detyrime të papaguara sipas kontratës ekzistuese. Kjo alternativë do të zëvendësohet me përgjigjen “pranim me kusht”, në rastet kur pajtimtari ka detyrime të papërmbushura.
Përgjigjja nga operatori dhënës për pranimin me kusht të kërkesës për portim aplikohet vetëm për pajtimtarë me paspagim (kontratë).
Përgjigjja e operatorit dhënës për pranim me kusht dërgohet në Bazën e të Dhënave Referencë të Centralizuar (CRDB), ku krijohet statusi “pezull” dhe operatori marrës njoftohet se kërkesa është pranuar me kusht. Kërkesa për portim do të qëndrojë në statusin pezull deri sa pajtimtari të shlyejë detyrimet përkatëse tek operatori dhënës, por jo më shumë se 30 ditë kalendarike nga data e krijimit të këtij statusi.
Me përmbushjen e detyrimeve të pajtimtarit, operatori dhënës duhet të pranojë kërkesën për bartje, duke njoftuar operatorin marrës nëpërmjet sistemit CRDB dhe kërkesa kalon nga statusi pezull në status të pranuar.
Në rast të mosshlyerjes së detyrimeve nga pajtimtari brenda afatit maksimal 30-ditor të statusit pezull, rasti mbyllet nga CRDB dhe kërkesa konsiderohet e refuzuar.
Gjithashtu, operatori dhënës, jo më vonë se një ditë pune nga refuzimi i kërkesës për bartje për shkak të mospërputhjes së ID/NIPT ose nga pranimi me kusht i kërkesës për bartje, duhet të njoftojë dhe të informojë pajtimtarin (me SMS për operatorët celularë) për arsyet e refuzimit apo pranimit me kusht të kërkesës për portim të numrit. Në rast të refuzimit për shkak të mospërputhjes së ID/NIPT, klienti duhet të këshillohet të paraqitet në një nga pikat e shitjes së operatorit dhënës, për të saktësuar të dhënat e identifikimit sipas formularit përkatës. Në rast të pranimit me kusht të kërkesës për shkak të detyrimeve të pajtimtarit me paspagim, klienti duhet të informohet për vlerën monetare totale dhe të detajuar, si dhe afatin maksimal për pagesën e këtyre detyrimeve, prej 28 ditësh kalendarike nga data e njoftimit, si dhe që, në rast mospagese të këtyre detyrimeve, kërkesa për portim do të refuzohet dhe marrëdhëniet midis pajtimtarit dhe operatorit dhënës do të vijojnë sipas kontratës ekzistuese.
Aktualisht, pajtimtari informohet vetëm për refuzimin dhe arsyen e refuzimit të kërkesës nga operatori dhënës, pa përfshirë informim të ID aktuale të regjistruar apo vlerës së detyrimit ndaj operatorit dhënës. Detyrimet kontraktore për t’u përmbushur nga pajtimtari, pas përfundimit të kontratës ose portimit të numrit, nuk përbëjnë kriter për pranimin me kusht të një kërkese për portim të një numri aktiv.
Këto detyrime mund paguhen nga pajtimtari vetëm në datën e përfundimit të kontratës, ose ndërprerjes së shërbimit nga operatori dhënës ose pas kësaj date sipas njoftimit përkatës. Operatori dhënës ka detyrim të pranojë kërkesën për portim të numrit të pajtimtarit, nëse asnjë prej kritereve të refuzimit dhe pranimit me kusht nuk plotësohen.
Operatorët do të paguajnë tarifë edhe për kërkesat e refuzuara
Projektrregullorja parashikon edhe disa ndryshime në tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit në procesin e portabilitetit.
AKEP propozon që krahas aplikimit të tarifës aktuale 500 Lekë (pa TVSH) për çdo numër të portuar me sukses nga operatori dhënës tek ai marrës, operatori dhënës do të ketë të drejtë të tarifojë operatorin marrës edhe me një tarifë prej 250 Lekësh (pa TVSH) për çdo kërkesë për portim jo të suksesshëm ose të refuzuar nga operatori dhënës, për shkak të gabimeve (informacion i gabuar për ID, numër telefoni) në kërkesën për portim të OM.
Sipas AKEP, ky propozim synon rritjen e përgjegjshmërisë së operatorit marrës në hedhjen e kërkesave për portim dhe reduktimin e kërkesave të shpeshta të njëpasnjëshme nga operatori marrës, pavarësisht refuzimit nga operatori dhënës të kërkesës së parë për shkak të gabimeve në ID.
Vendosja e një tarife për këto raste rrit njëkohësisht dhe përgjegjësinë e operatorit dhënës për refuzimet për kërkesat për portim, pasi çdo kërkesë e refuzuar do të jetë objekt i verifikimit të plotë nga operatori marrës, për shkak të pasojave financiare nga refuzimi i kërkesës.
6 muaj kohë për ndryshimet
AKEP vlerëson se zbatimi nga operatorët i një pjesë të ndryshimeve në rregullore do të sjellë nevojë për edhe përditësime në proceset e brendshme administrative, teknike dhe operacionale të operatorëve, si dhe implementim dhe sinkronizim të ndryshimeve. Këto ndryshime që kërkojnë më shumë kohë për implementim ose bashkëveprim të operatorëve të komunikimeve elektronike dhe operatorit të CRDB përfshijnë krijimin e statusit pezull në CRDB dhe pranimin me kusht të kërkesave për portim numri nga operatori dhënës; detyrimet e operatorit dhënës për procesimin e automatizuar të kërkesave për portimin e numrave të çaktivizuar. Për këtë arsye, AKEP ka parashikuar dispozita kalimtare, përfshirë implementimin e ndryshimeve të mësipërme brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e versionit final të rregullores që do të miratohet nga AKEP, pas procesit të këshillimit publik./Monitor