
SHBA- Përmbytjet e lumit Guadalupe të Teksasit kanë shkaktuar dëme masive materiale dhe dhjetra të zhdukur, mes tyre edhe 25 vajza të vogla që ishin dërtuar që të kalonin disa kohë në kampin e verës në këtë zonë. Stuhia që goditi Teksasin mbrëmë, preku edhe qendrën verore "Camp Mystic", një kamp me vajza. 25 janë zhdukur, ndërsa 24 të tjera janë gjetur të vdekura nga 750 adoleshente që kishin shkuar për të kaluar verën në kamp.
"Për momentin nuk e dimë kush janë, nuk dimë as moshën dhe seksin e tyre,"- tha Rob Kelly, gjyqtar i Qarkut Kerr.
E gjitha ndodhi brenda një ore!
Në orën 5:34 (ora lokale) të premten, niveli i lumit u ngrit nga shirat dhe mori para gjithë çfarë kishte. Kur ndodhi kjo, shumë nga banoret e kampit ishin ende në shtrat duke fjetur. Por në realitet, shërbimet meteorologjike kishin paralajmëruar për përkeqësimin drastik të motit në atë që konsiderohet "lugina më e rrezikshme e lumit në Shtetet e Bashkuara". Megjithatë, paralajmërimi ishte "i pamjaftueshëm".
Askush nuk e parashikoi rritjen drastike të nivelit të lumit Guadalupe me 7.9 metra. Ujërat dolën nga shtrati, duke rrëmbyer shtëpi, automjete dhe vila të kampeve verore të ngritura në brigjet e lumit.
Ndërkohë, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në disa qarqe. Ekipet e shpëtimit po punojnë për gjetjen e tqë zhdukurve dhe evakuuimin e të mbijetuarve, ndërkohë u kërkojnë vazhdimisht banorëve të mos dalin nga shtëpitë e tyre në mënyrë që të mos ekspozohen ndaj rrezikut.
"Priten reshje të mëtejshme shiu në zonë. Dhe edhe nëse është i lehtë, ekziston mundësia që përmbytjet të përkeqësohen,"- paralajmëruan autoritetet, duke kërkuar kujdes të madh. Ndërkohë në mediat sociale, disa prindër kanë postuar foto të disa prej vajzave me shpresën se do të jenë në gjendje t'i gjejnë ato.
Një dyqan i madh Walmart në zonë po përdoret aktualisht si pikë takimi për ata që nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre për shkak të ujit.
Situata e sotme ngjan me përmbytjen vdekjeprurëse në të njëjtën zonë në korrik të vitit 1987, kur lumi Guadalupe u rrit 9 metra dhe rrëmbeu një autobus shkolle dhe një furgon që transportonte adoleshentë në një kamp veror aty pranë. 10 fëmijë vdiqën, ndërsa 33 të tjerë u kapën pas degëve të pemëve./ZËRI