
ÇEÇENI- Ai shihet gjithnjë e më rrallë në publik: kryeministri i tij e zëvendëson në ngjarje zyrtare. Edhe raportet televizive lokale i kushtojnë më pak hapësirë sesa në të kaluarën. Në qershor ai u shfaq në ekrane vetëm dhjetë herë, një vit më parë nuk kishte ditë që njerëzit të mos flisnin për të. Madje edhe profilet e tij sociale përditësohen më rrallë. Të gjitha këto po konsiderohen prova që do të konfirmonin një thashethem: gjendja shëndetësore e Ramzan Kadyrov, njeriut që ka qenë zot i Çeçenisë për gati 20 vjet, po përkeqësohet vazhdimisht.
Është një lajm që ka qarkulluar prej kohësh. Kadyrov, 48 vjeç, thuhet se vuan nga një sëmundje e rëndë pankreatike, me të cilën iu diagnostikua në vitin 2019. Megjithatë, simptomat janë përkeqësuar. Më sëmundjen e tij, kanë nisur edhe thashethemet për pasuesin e tij.
Mesa duket edhe ai po ia bën vetes këtë pyetje dhe kjo tregohet nga ngritja e bijve të tij në pozicione me rëndësi. Kush më mirë se fëmijët e tij mund ta trashëgojnë pushtetin e tij?
Kadyrovi mori drejtimin e vendit me dhunë dhe gjak kur nuk ishte as 30 vjeç dhe më pas e konsolidoi duke përdorur të njëjtat "mjete".
Vladimir Putini nuk e ka penguar. Përkundrazi: ai gjithmonë i ka rezervuar Kadyrovit një trajtim të veçantë në krahasim me "kolegët e tij". Dhe kështu, në më pak se dy dekada, ky i fundit ka qenë në gjendje të organizojë një ushtri të vërtetë personale, të imponojë ligje të ngurta fetare - Çeçenia është e populluar pothuajse tërësisht nga myslimanë - të papajtueshme me ato ruse, madje të kundërshtojë publikisht Putinin, i cili pavarësisht gjithçkaje, vazhdon ta financojë atë me bujari në këmbim të stabilitetit në rajon.
Për të përmbushur këtë detyrë, vazhdimësia ofron garancitë më të forta. Prandaj, në një të ardhme jo shumë të largët, një nga 14 fëmijët e Kadyrovit mund të thirret për të pasuar të atin. Njëri, mbi të gjitha, është i preferuari: Adami. Ai nuk ka mbushur ende 18 vjeç dhe nuk është i linduri i parë. Ai u bë i njohur kur ishte 15 vjeç për një video në të cilën rrihte një të burgosur të burgut të Groznit. Për ta shpërblyer, i ati e bëri komandant të shërbimit të tij të sigurisë; më pas komandant të forcave të Policisë; dhe më pas, sekretar të Këshillit të Sigurisë së Republikës. Nuk u ndal me kaq! E quajti "Hero i Çeçenisë" dhe i dha gjashtë medalje për trimëri ushtarake, megjithëse ai nuk shkeli kurrë në frontin e luftës.
Dhe më në fund, një javë më parë i organizoi një dasmë. Adami u martua me një vajzë të moshës së tij. Gjithë çfarë dihet për të është emri i saj, Medni, i zbuluar nga njëra prej vajzave të Kadyrovit. Çifti u martua një ceremoni luksoze, krahasuar me atë të vëllezërve të tij, e festuar në Akhmat-Yurt, qytetin e lindjes së familjes. Dhëndri mbërriti me një Mercedes SUV që kushton 160,000 euro, ndërsa në dorë mbante një orë të zbukuruar me diamante prej 2 milionë eurosh.
Po atë ditë, babai i tij postoi një foto në Telegram me mbishkrimin: Dhëndri në Kremlin, i mirëpritur nga vetë Putini.
Më poshtë, Kadyrov kishte një mesazh drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus: Ju falënderoj për urimet tuaja të ngrohta për të sapomartuarit dhe për urimet tuaja të sinqerta për të gjithë popullin çeçen. Zemra juaj e mirë dhe fisnikëria juaj janë ato që ne i vlerësojmë thellësisht tek ju."
Mesa duket, Adami ka marrë edhe "bekimin" e Carit për të pasuar babanë e tij./ZËRI
Marrë nga Corriere