
SHBA-Një çift që kishte provuar të bëhej me fëmijë për plot 18 vite, më në fund është në pritje të fëmijës së tyre të parë, falë inteligjencës artificiale. Çifti kishte kryer disa raunde të fertilizimit in vitro (IVF) në klinika të ndryshme në botë.
Por për ta, nuk pati sukses për shkak të azoospermisë, një sëmundje e rrallë ku nuk ka spermatozoide në spermë duke shkaktuar infertilitet. Në një kampion sperme gjenden qindra miliona qeliza spermatozoide, por te burrat me azospermia ka numër kaq të vogël të tyre, sa nuk gjenden as nëse përpiqesh t’i kërkosh me orë të tëra në mikroskop. Çifti ka ruajtur anonimatin, por CNN raporton se shkoi në Columbia University Fertility Center për të provuar një qasje inovative.
Mjekët në klinikën e fertilitetit analizuan kampionin përmes sistemit të Inteligjencës Artificiale. U gjetën tre spermatozoide që u morën dhe u përdorën për fertilizimin e vezës përmes IVF duke rezultuar shtatzëninë e parë të suksesshme përmes metodës STAR. Fëmija do të vijë në jetë në muajin dhjetor.
“M’u deshën dy ditë që të besoja se isha vërtet shtatzënë. Ende zgjohem në mëngjes dhe s’arrij ta besoj nëse kjo është e vërtetë apo jo. S’e besoj akoma që jam shtatzënë pa parë ekot”, shkroi gruaja në një email.
Si funksionon STAR?
Kur një kampion sperme vendoset në një çip të veçantë nën mikroskop, STAR (Sperm Tracking and Recovery), lidhet me mikroskopin përmes një kamere me shpejtësi të lartë dhe teknologjisë së imazherisë që skanon kampionin duke shkrepur mbi 8 milionë foto në orë për të identifkuar qelizën spermatozoide.
Sistemi veçon spermatozoidin në një pikë të vogël duke lejuar embriologët që të marrin qelizat që s’kanë mundur t’i gjejnë ose identifikojnë vetë. Kjo shënon një hap të madh për pacientët me azospermia, të cilët zakonisht i nënshtrohen një ndërhyrjeje të vështirë për të marrë spermatozoide drejt e nga testikujt.
Ndërhyrja është shumë invazive dhe një pjesë e testikujve hiqen dhe copëtohen në përpjekje për të gjetur qelizat riprodhuese. Mund të bëhet vetëm një apo dy herë sepse shkakton shenja dhe dëmtim të përhershëm të testikujve, si dhe është shumë e dhimbshme. Trajtimet alternative janë mjekimet hormonale që funksionojnë nëse pacienti ka hormone të çekuilibruara. Nëse metodat nuk rezultojnë të suksesshme, çiftit mund t’i nevojitet sperma e një dhuruesi.
Shpresë e re për miliona çifte
Rreth 40% e rasteve të infertilitetit lidhen me partnerin mashkull, dhe rreth 10% e meshkujve infertilë diagnostikohen me azoospermi. Deri tani, opsionet ishin të kufizuara dhe shpesh përfshinin ndërhyrje kirurgjikale të dhimbshme dhe të rrezikshme në testikuj.Kjo teknologji e re mund të jetë një alternativë revolucionare, duke shmangur kirurgjinë dhe duke ofruar një rrugë të re për çifte që më parë kishin vetëm dy zgjedhje: dhurim sperme ose jetesë pa fëmijë.