
ITALI- Në garë për dy vende në Ligë Kampionesh, përkatësisht vendi i tretë dhe i katërt në renditjen e Serisë "A" janë 6 skuadra. Ato janë Atalanta, Bolonja, Lacioja, Juventusi, Roma dhe Fiorentina. Mirëpo, çfarë ndodh nëse vendi i katërt dhe i pestë dalin me pikë të barabarta?
Rregullorja parasheh se nëse dy skuadra e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, merr peshë renditja e brendshme, që do të thotë rezultatet e ndeshjeve direkte mes tyre, diferenca e golave në ndeshjet direkte, diferenca e përgjithshme e golave, numri total i golave të shënuar dhe, në fund, shorti.
"Gazzetta delli Sport", duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjeve direkte, analizonte sot situatën e secilës skuadër të përfshirë.
Atalanta do të kishte avantazh me Juventusin dhe Bolonjën, situatë të barabartë me Fiorentinën dhe disavantazh përballë Lacios. Me Romën i duhet të luajë më 11 maj në përballje direkte.
Bolonja, nëse do t'i duhej ta diskutonte vendin e katërt me Romën ose Lacion si skuadra të renditura me pikë të barabarta në vendin e pestë, do t'i gëzohej avantazhit që ka ndaj të dyjave në ndeshjet direkte. Bolonjezët do të ishin të palumtur nëse e pesta do të renditej Atalanta. Më 18 maj do të kenë përballjen e dytë direkte me Fiorentinën.
Juventusi do të ketë përballje direkte me Bolonjën dhe Lacion, më 4 dhe 11 maj, ndërsa nuk ka situatë të avantazhuar me asnjë nga tre skuadrat e tjera.
Lacioja është e avantazhuar vetëm nëse pas saj me pikë të barabarta vjen Atalanta. Me Fiorentinën do të ndahej me short. Ndërsa, përballë Romës dhe Bolonjës është në disavantazh. Me Juventusin do të ketë përballje direkte./ZËRI