
MILANO- "Shigjeta e Zezë" e Interit legjendar të Herreras u nda nga jeta dje në moshën 84-vjeçare. Zhair da Kosta, legjenda braziliane e "Grande Inter", i njohur si “Freccia Nera”, fitoi me fanellën zikaltër 4 tituj kampionë, 2 Kupa të Kampioneve dhe 2 Kupa Interkontinentale. Ai ishte protagonisti kryesor, njeriu që shënoi golin vendimtar në finalen e vitit 1965 kundër Benfikës.
Zhairi, i dashuruar me futbollin italian dhe me fushën historike të San Siros, u largua nga jeta në atdheun e tij, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme që tifozët interistë e kujtojnë dhe e duartrokasin. Zhair ishte kollonë kyçe e formacionit të famshëm të Helenio Herreras. Ai spikati me shpejtësinë dhe teknikën e tij të rrallë, duke bërë histori në vitet ’60.

Me numrin 7 në shpinë, vërshonte në krahun e djathtë, duke i çmendur dhe nxjerrë zbuluar sistemet e dobëta të mbrojtjes kundërshtare. I ardhur nga Sao Paulo në vitin 1962, Zhairi u refuzua nga Milani dhe gjeti shtëpinë e tij te Interi.
Att u bë një ndër figurat më të dashura të tifozerisë. Pas një dekade suksesesh të njëpasnjëshme me Interin, braziliani u kthye në atdhe për të luajtur edhe për Santosin e Pelesë. Nga atje u huazua edhe për një sezon te Roma. Edhe pse ishte pjesë e skuadrës fituese të Botërorit 1962 me Brazilin, ai nuk arriti të luante, duke qëndruar në hije përpara legjendës Garrinça.
Klubi i Interit, përmes një mesazhi prekës shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të saj historike, të epokës më të artë të historisë së klubit nga Milano./ZËRI