
BRITANI E MADHE - Kate Cassidy, partnerja e këngëtarit të ndjerë të 'One Direction', Liam Payne, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së tij tragjike, duke ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale.
Në postimin e saj në Instagram, Cassidy falënderoi të gjithë ata që i kanë ofruar mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe kërkoi respekt për privatësinë e saj ndërsa përballet me këtë fatkeqësi.
“Jam e shkatërruar dhe e humbur. Asgjë nuk duket e vërtetë që prej asaj dite. Ju lutem të më jepni hapësirë për ta kaluar këtë në mënyrë private,” shkruajti ajo në postimin e saj. Cassidy vazhdoi më tej, duke bërë një dedikim prekës për Payne: “Liam, engjëlli im, ti ishe gjithçka për mua. Të kam dashur pa kushte dhe do të vazhdoj të të dua për gjithë jetën.” shkruan ajo.

Çifti kishte qenë në një lidhje për më shumë se dy vjet, me Cassidy që ishte kthyer vetëm dy ditë para se Payne të humbte jetën në Buenos Aires, ku ai po qëndronte në një hotel. Incidenti ndodhi pasi këngëtari ra nga ballkoni i dhomës së tij, dhe autopsia zbuloi se lëndimet që ai pësoi ishin fatale.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, me autoritetet që kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe kanë sekuestruar materiale nga dhoma e tij, të cilat tregojnë praninë e substancave që nënkuptojnë konsumimin e alkoolit dhe drogës.
Payne, i cili ishte vetëm 31 vjeç, la pas një trashëgimi të madhe në botën e muzikës si anëtar i grupit të njohur 'One Direction'./ ZËRI