Politikë

Zgjedhjet, Celibashi: Duhet të nisë menjëherë puna për një reformë reale! Dumani: Hetim për 43 kallëzime, partitë na sollën të dhëna të paplota

Sa i përket klimës së fushatës, Celibashi theksoi më së shumti përplasjet në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha. 

k.m.
Zgjedhjet, Celibashi: Duhet të nisë menjëherë puna për
Pamje nga konferenca

TIRANË- “Përtej monitorimit: Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri,”-kjo ishte tema e konferencës që bëri bashkë kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, kreu e SPAK Altin Dumani dhe ambasadorin britanik Nick Abbott. Në nisje të konferencës, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Celibashi kërkoi nisjen e punës për një reformë reale zgjedhore nga të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, duke cituar raportin e OSBE-ODIHR, ai theksoi se pavarësisht progresit në zgjedhje, ka pasur shumë probleme që mund të adresohen me reformën e re. Sa i përket klimës së fushatës, Celibashi theksoi më së shumti përplasjet në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha. 

"Do duhet të heqim mundësinë e çdo preteksti për të vënë në diskutim në të ardhmen integritetin e zgjedhjeve. Me konstituimin e Kuvendit të ri, të nisë puna për të adresuar problematikat që lidhen me procesin zgjedhor në Shqipëri. Krahas progresit që zgjedhjet patën, kemi ende shumë probleme. Sipas këtyre vlerësimeve, fushata u fokusua në sulme armiqësore e personale, veçanërisht nga liderët e dy partive politike kryesore, kjo thelloi mosbesimin e publikut në politikë, e për këtë arsye, thonë ata, vendi meriton një politikë të ndershme e konstruktive në çdo ditë të vitit. Fushata u karakterizua nga një ton konfrontues e polarizues në kushtet e përdorimit të një gjuhe përçarëse nga dy partitë kryesore politike e përpjekjeve për të ndikuar padrejtësiht te votuesit.

Vëzhguesit evidentuar përdorimin e burimeve shtetërore, ku përfaqësues të lartë të qeverisë u angazhuar në aktivitete zyrtare që shpesh përkonin me mesazhe fushate e përfshinin prezantimin e programeve duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh të padrejtë. Asnjë prej kandidatëve nuk bëri publike të dhëna për donacione apo huatë e KQZ s’mund të merrte veprim sepse nuk ka një instrument ligjor për të siguruar zbatueshmërinë ligjore përkatëse. Mungesa e raportitmit të ndërmjetëm e ulin transparencën e llogaridhënien në financimin e fushatës. Klima mediatike tejet e kufizuar. Ndërhyrjet në autonominë editoriale. Mungoi raportimi i pavarur duke cenuar rolin mbikqyrës të medias. Gjetjet nxisin nevojën për një reformë të thellë ligjore dhe institucionale me qëllim sigurimin e integritet të plotë të zgjedhjeve. Me konstituimin e ri të kuvendit në shtator të nisë menjëherë puna për të adresuar të gjitha problematikat me procesin zgjedhor në Shqipëri, duhet të vlerësojmë që çfarë secili prej aktorëve politikë apo institucionalë duhet të bëjnë ndryshe apo edhe më mirë në kuadër të përgjegjësive që ata kanë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo me konsensus të gjerë politik. Maxhoranca gati e cilësuar në kuptim të terma kushtetues e PS, shpresoj që të mos jetë pengesë nga pikëpamja formale për të patur gjithëpërfshirje dhe konsensus bënë atë se çfarë duhet të reformohet,"-u shpreh Celibashi.

I të njëjtit mendim ishte edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott. Edhe sipas tij, ka ende ndryshime për të bërë për zgjedhjet dhe Kodin Zgjedhor.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë potencialin e madh që ekziston këtu. Qeveria shqiptare një partner i qëndrueshëm në të cilën kemi besim. Zgjedhjet e 2025-ës përbënin një kryqëzim të zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Zgjedhjet janë bërë më kompetitive, më të konkurrueshme dhe proceset elektorale kanë parë përparim në administrimin e tyre dhe në transparencë. Ky përparim s’duhet të na çojë në vetëkënaqësi. Ka ende ndryshime për të bërë. Ne kemi parë gjatë zgjedhjeve disa probleme që janë dokumentuar si duhet dhe i është bërë jehonë nga çdo mision monitorimi zgjedhjesh sidomos nga ODIHR, që kanë dhënës një numër të madh vëzhguesish duke treguar se është bërë një zhvillim,”-deklaroi Abbott.

Një fjalë të shkurtër ka mbajtur edhe kryetari i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, kreu i SPAK ka bërë me dije se institucioni që ai drejton ka regjistruar 43 procedime penale, të cilat kanë kaluar në fazën e hetimit aktiv. Sipas tij, janë ushtruar kontrolle në banesa, zyra personale, dhe janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejimin e kontrollit të dokumenteve dhe materialeve me interes hetimor.

"192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën e hetimit, për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit, 40 materiale janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera ekzistuese dhe një pjesë është në proces verifikimi. Hetimet për shumë nga procedimet janë aktive, janë ushtruar disa kontrolle banese, zyre personale, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të materialeve të ndryshme dhe personave të ndryshëm. Janë sekuestruar prova, dokumente që i shërbejnë procesit të hetimit. Sfidat nuk janë të pakta. Duke iu referuar materialeve të partive që kanë mbërritur në SPAK, kallëzimet e tyre kanë qene të paplota dhe shpesh jo të sakta, edhe pse kanalet tona për raportime kanë qenë të shumta. SPAK ka bërë verifikimet përkatëse për çdo rast, për çdo kallëzim SPAK ka kryer të gjitha verifikimet, duke konkluduar në vendimmarrje konkrete. Janë ankimuar 3 mosfillime hetimesh, por GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e SPAK për mosfillim të procedimit penal,”- tha Dumani.

Një koment e dha edhe avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila tha se gjatë kësaj fushate elektorale, gjuha e përdorur nga politika ka qenë më e përmbajtur.

“Gjuha e përdorur gjatë fushatës ka vazhduar të jetë kontraverse. Ndoshta edhe jemi mësuar me këtë gjuhën e ashpër, por ndoshta këto zgjedhje më janë dukur pak më mirë sesa të mëparshmet. Kam ndjerë një lloj vetëpërmbajtjeje nga të tëra anët e politikës."/ZËRI

Poll

MOS HUMB