
TIRANË- Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka folur për garën brenda llojit, pra mes socialistëve, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në një intervistë të dhënë për "A2 CNN", kandidati për deputet, më i votuari nga zgjedhjet, foli për përfoljen e tij si pasardhësi i Erion Veliajt, në krye të Bashkisë së Tiranës. Edhe pse nuk e konfirmoi që do të kishte zgjedhje në kryeqytet, Gonxhja u shpreh mirënjohës për faktin që sipas tij, emri i tij është pritur mirë teksa përflitet në media dhe jo vetëm.
“Kur përballesh me një pritshmëri pozitive, apo kur opinioni publik mund të mendojë pozitivisht për një kandidaturë, kushdo qoftë ai, natyrisht do të ishte një moment pozitiv. Nuk ka asnjë lloj ambicie timen në këtë drejtim dhe nuk ka asgjë konkrete që të lidhet me personin tim. Unë mendoj që nuk jemi fare në këtë moment për zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, ato kanë datën e tyre,”-tha Gonxhja.
Por po ashtu, duket se socialistët janë më të fokusuar për atë që do të sjellë vera. Sidomos tani pas zgjedhjeve, pasi kryeministri Edi Rama duhet të vendosë për formacionet e reja qeverisëse për mandatin e tij të katërt.
“Vera do të jetë e nxehtë, pasi stina është e nxehtë, por nuk ka asnjë rëndësi se sa keq do t’i bëjë vapa kujtdo, pra personit individualisht, pasi këtu rëndësi ka objektivi kryesor, ai që kishim në kokë: integrimi i Shqipërisë. Pjesa individuale është shumë relative dhe nuk besoj se do të më shqetësonte”.
Socialistët kanë nisur që tani përgatitjet në të paktën tre bashki: atë të Matit, Beratit dhe Tepelenës. Vetë sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi bëri me dije se puna me strukturat ka nisur dhe të gjithë janë gati për votimet e reja, duke shtuar se syimi mbetet i njëjti: fitorja./ZËRI