
TIRANË- Në pallatin e sportit “Farie Hoti” janë hapur 900 kuti votimi nga 1207 gjithsej! Nga rinumërimi i kutive rezultoi se Partisë Demokratike i janë shtuar 470 vota më shumë, ndërkohë që Partisë Socialiste i janë shtuar 340. Por edhe kandidatët kanë marrë shumë vota pa merita. Prej demokratëve, Ilir Alimehmeti ka 119 vota të pamerituara, që u zbriten nga rezultati fillestar. Ilir Meta rezulton se ka marrë 50 vota pa meritë, ndërsa edhe Jorida Tabakut i janë shtuar 76 të tilla.
Por edhe nga socialistët ka lëvizje votash! Numrin më të madh të votave pa meritë e ka ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha me 262 vota. Fatmir Xhafaj ka 148, ndërsa Erion Braçe ka 152. Por edhe pse kanë vota pa meritë, mes kandidatëve ka pasur edhe kontestime dhe deklarata publike. Braçe reagoi ashpër duke akuzuar KAS se po ia kthen votat në të pavlefshme, ndërsa ka ndarë edhe disa foto, ku thotë se nëse KAS mendon se ai ka vjedhur vota, këtë duhet ta thotë me vendim. Nga ana tjetër, vetë anëtari i PD në KAS, Ledio Braho, thotë se deri tani nuk ka trafikim masiv votash për kandidatët.
Një ditë pasi akuzoi KAS se po i kthente votat e tij në të pavlefshme, edhe sot ka pasur një reagim tjetër nga deputeti socialist Erion Braçe. Në një postim në rrjete sociale, Braçe shpjegon se në një fletë votimi që ka publikuar, brenda një kutie votimi në njësinë nr.5, vota është vetëm për PS, por shton se nuk e kupton pse është shpallur e pavlefshme.
POSTIMI I BRAÇES:
View this post on Instagram
"Rinumërimi dhe topi i Mato Grudës! Jo për votat e mia, për vullnetin e njerëzve të shprehur me votë. Vota në foton e parë është numëruar dje, ishte në një nga kutitë e njësisë nr.5 dhe është votë vetëm për partinë. KAS e shpallur të pavlefshme. Por përse? Përse një vullnet i shprehur me Topin e Mato Grudës është konsideruar e pavlefshme? Përse KAS këtë shenjë e quan të pavlefshme?! Pse zemra është e vlefshme dhe Topi i Matos jo?! Më në fund dje, një mik që arkivon, më dërgoi elektronikisht manualin e KQZ për votën e pavlefshme. Në asnjë nga shembujt e KQZ, topi i Matos nuk e bën votën e pavlefshme, shihni! Madje në manualin e KQZ, asnjë nga shembujt për votën e pavlefshme nuk përputhet me shumicën e votave të pavlefshme që po shpall KAS! Vetëm se duhet të shpegojë se si blihet një votë për çdo 6 kuti! E thjeshtë, bëhet!,"-shkruan Braçe.
Përgjigjen e mori nga anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, Ledio Braho. Në përgjigjen e tij për socialistin, Braho tha se manuali i miratuar nga Komisioni Rregullator për votën e pavlefshme është orientues, ndërsa shton se i njëjti standard është ndjekur për të gjithë.
“Manuali i miratuar nga komisioni rregullator është orientues dhe nuk mund të parashikohet fantazia e çdo votuesi apo çdo sjellësi në manual, në mënyrë që të sillemi si një proces mekanik për të vlerësuar votat e vlefshme apo e pavlefshme. Mua ma dërguan postimin e Zotit Braçe. Vota ishte një shënim që kishte një organ gjenital mashkullor në fletën e votimit. Partia Socialiste, siç bëri edhe disa ditë më parë që bëri një kërkesë, mund t'i drejtohet KAS me një kërkesë tjetër. Dhe të kërkojë që çdo votë që ka një organ gjenital mashkullor apo femëror të konsiderohet nga KAS si e vlefshme dhe ne do të shprehim me vendim, siç u shprehem edhe në rastin e parë,”- tha Braho.
Por Braçe nuk është i vetmi! Pakënaqësi për rinumërimin ka shfaqur edhe Ilir Alimehmeti, kandidati i Partisë Demokratike nuk mundi të siguronte dot një mandat për në Kuvendin e Shqipërisë. Mjeku Alimehmeti ka publikuar një foto të një flete votimi, në të cilën shihet se shenja ka devijuar nga kutia e emrit të kandidatit tjetër demokrat Kreshnik Çollaku.
“Numëruesit tanë po mbrojnë aktivisht votat e Partisë Demokratike. Kjo votë e qartë e PD-së u konsiderua abuzivisht si e pavlefshme nga KQZ-ja. Faleminderit z. Ylli Subashi për reagimin e menjëhershëm! Vota është vullnet i pastër i qytetarëve dhe do të mbrohet me vendosmëri prej nesh. Po juve si ju duket kjo votë?,”- shkruan Alimehmeti.
Përgjigjen për akuzat nuk ia dha Braho. Anëtari i KAS thotë se rezultatet e rinumërimit tregojnë se kemi të bëjmë me interpretime votash dhe jo me trafikim masiv.
“Kur nisi ky proces, nisi me pretendime për trafikim prej mijëra votash, kryesisht nga kandidatët, pa dashur t'i vë emrin. Të ishin kandidatë dhe nga ata që kanë bërë kërkesë ankimore dhe nga ata që s'kanë bërë kërkesë ankimore, por duket qartë që nuk kemi arritur në shifra të tilla. Jemi shifra shumë më të ulëta dhe sot që po diskutojmë, po të vihet re edhe nga postimet e kandidatëve apo edhe nga media, bëhet fjalë vetëm për pretendime për bishta kryqesh, pra është bishti brenda kutisë apo jashtë kutisë, është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie. Çka tregon qartësisht se ka të bëjë vetëm me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash. Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve. Unë besoj se tani askush nuk mund të bëjë pjesë pis procesin e numërimit. Pra, flasim për administrimin zgjedhor që është bërë nga KZAZ dhe grupet e numërimit dhe tani po tentohet nëpërmjet mënyrave të tjera që të bëhet pis procesit i rinumërimit këtu në KQZ nëpërmjet numëruesve të KQZ,”- tha Braho.
Rinumërimi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë, ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të Diasporës. Nga ky rinumërim, Partia Demokratike kërkon të marrë mandatin e dytë të Partisë "Mundësia", që aktualisht e mban Erald Kapri./ZËRI