
TIRANË-Sot është dita e shtatë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët sa i përket qarkut të Tiranës. Deri tani janë hapur 771 kuti nga 1207 në total.
Partia Demokratike është ajo që ka humbur më shumë vota, me 399 deri më tani, ndjekur nga ajo Socialiste. PS-së i zbriten gjithashtu 302 vota që i ka marrë pa meritë.
Nisma Shqipëria Bëhet ka humbur 37 vota, Partia Mundësia 30, ndërsa Lëvizja Bashkë ka gjithashtu 30 vota pa meritë. Partia Socialdemokrate ka humbur 29 vota. Ndërkohë, 29 vota do t’i shtohen koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës, që rezulton se ia kanë marrë nga numërimi i parë.
Teksa rinumërimi ende nuk sjell asnjë ndryshim nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, për kandidatët gjithçka mund të ndryshojë.

Lëvizje votash ka patur brenda PD, ku Ilir Alimehmeti i PD ka 85 vota të pamerituara, që u zbriten nga rezultati fillestar. Ilir Meta rezulton se ka marrë 59 vota pa meritë, Myslim Murrizi i janë shtuar padrejtësisht 51 vota. Vota pa meritë kanë shkuar edhe në drejtim të Jorida Tabakut, e cila deri më tani ka 69 vota të tilla.
Edhe në PS ka lëvizje votash. Numrin më të lartë të votave që i janë shtuar pa meritë e ka Ervin Hoxha me 263. Fatmir Xhafaj ka 129, Xhemal Qefalia ka 123, Erion Braçe ka 129. Braçe reagoi ashpër një ditë më parë, duke akuzuar KAS se po ia kthen votat në të pavlefshme. Mandati luhet në radhët e PS, ku gara është mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, diferencë e cila është ngushtuar.