Politikë

Vendimi i 'Strasburgut' për 21 Janarin/ Rama: Duhet rihetuar

Rama e quajti vendimin, si ngjarje të jashtëzakonshme që i hap rrugë hetimit të munguar për zinxhirin e komandimit që dha urdhrin për të qëlluar me armë drejt protestuesve.

k.m.
Vendimi i 'Strasburgut' për 21 Janarin/ Rama: Duhet rihetuar
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgun për vrasjen e Aleks Nikës nga trupat e Gardës para qeverisë në 21 janar 2011. Rama e quajti vendimin, si ngjarje të jashtëzakonshme që i hap rrugë hetimit të munguar për zinxhirin e komandimit që dha urdhrin për të qëlluar me armë drejt protestuesve. Kreu i qeverisë i ftuar në ‘Repolitix’ theksoi se vendimi tregon qartë se në 21 janar të vitit 201, vrau qeveria, duke ia lënë fajin kështu kryeministrit të atëhershëm, Sali Berishës.

Rama: Një gjë më bën përshtypje mua, sot ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Sot Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë familjes Nikaj dhe faktikisht ka rrëzuar procesin që është bërë në Shqipëri për 21 janarin. Që do të thotë i ka hapur rrugën atij hetimi të munguar për zinxhirin e komandimit. Sot një gjykatë supreme europiane ka thënë se është përdorur forcë vdekjeprurëse e pajustifikuar.

E di çdo të thotë kjo? Dhe ka saktësuar që procesi i bërë duke e lënë këtë punë mbi individë, është një proces që nuk konsiderohet i drejtë. Flet qartësisht për zinxhirin e komandimit. Ka vrarë qeveria në 21 janar. Vendimi thotë se ajo fjalia plumbin ballit nuk mund të kalojë si një plumb që shkoi në drejtim të paditur. Unë uroj shumë që 21 janari që për mua është themeli i drejtësisë në Shqipëri, të mos jetë më një ritual që të shkojmë atje e të vëmë lule, ndjehemi të gjithë kokëulur para atyre familjeve që duan drejtësi.

Gjykata e Stasburgut doli në një vendim dje lidhur me vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar 2011. Trupa gjykuese ka dalë në përfundimin se ka 2 shkelje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes, duke bërë përgjegjës shtetin shqiptar. Në vendim thuhet se shteti dështoi të kontrollojë protestën e 21 Janarit dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës. Pas vendimit, foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se çështja duhet rihetuar, duke bërë me faj edhe njëherë qeverinë e Sali Berishës, e cila ishte në pushtet.

Në 21 janar 2011, opozita socialiste që drejtohej nga Edi Rama thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, por situata u tensionua deri në përdorimin e plumbave. Plumbat lanë pas 4 viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Në Shqipëri, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi u dënua me një vit burg, ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite heqje lirie./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB