
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së gjatë një deklarate për mediat është pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, për vrasjen e e Aleks Nikës në 21 Janar 2011. Në vendimin për vrasjen e Aleks Nikës, Gjykata ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes, duke bërë përgjegjës shtetin shqiptar. Berisha si kryeministër i asaj periudhe, është shprehur se nuk ka asnjë pengesë nga ana e tij në hetim.
Berisha: Nuk e kam lexuar, por nuk ka patur kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha, nuk kam asnjë kundërshtim me vendimin. Se si është bërë hetimi dosjet janë aty, vlerësimin e ka bërë gjykata.
Çfarë ndodhi në 21 Janar, në protestën e thirrur nga socialistët
Në 21 janar 2011, opozita socialiste që drejtohej nga Edi Rama thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm. Plumbat lanë pas katër viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se donte t’i bënte puç, e fillimisht tha se vrasjet ishin kryer nga brenda turmës së protestuesve. Ndërsa opozita akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm e atëhershëm, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite./Zëri.ai