Politikë

Sot seanca, Edison Memolla s'paraqitet në GJKKO

Edhe pse ka fituar 3 palë zgjedhje për Bashkinë e Rrogozhinës, Memolla rrezikon që të humbasë mandatin, nëse konfirmohet akuza e ngritur nga ana e SPAK

E.K
Sot seanca, Edison Memolla s'paraqitet në GJKKO
Edison Memolla

TIRANË- Ka nisur në ambientet e GJKKO seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla, i cili është hetuar nga SPAK për akuzën e korrupsionit. Në seancën e sotme vetë Memolla nuk është paraqitur përpara gjyqtarëve, ndërkohë që më herët ai ka dhënë dëshminë e tij kur është pyetur nga Prokuroria e Posaçme.

Seanca e sotme u shty pasi përveç Memollës mungonte në seancë dhe prokurori i çështjes, pasi ndodhej jashtë vendit. Memolla akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, në zgjedhjet e 6 marsit të vitit të kaluar.

SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim edhe tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi ato për herë të tretë në korrik 2023. Nëse gjendet fajtor Memolla mund ta humbasë mandatin e kryebashkiakut./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB