ATHINË- Eurodeputeti i Greqisë në Parlamentin Evropian, Fredi Beleri, ka vizituar sot në spitalin e Athinës kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili prej ditësh ndodhet në gjendje kritike për jetën. Beleri në një intervistë për mediat greke e vlerësoi Janullatos se është “babai i tij shpirtëror”, si dhe një “pikë referimi për çdo grek në Shqipëri”.
“Për mua Fortlumturia është babai im shpirtëror. Ai është njeriu që në periudhën më të vështirë të jetës sime më qëndroi pranë, erdhi dhe më vizitoi në qeli. Edhe unë erdha për të bashkuar lutjet e mia me pjesën tjetër të popullit grek për një shërim të shpejtë. Fortlumturia e tij Anastasios është njeriu që ringjalli Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga rrënojat. Ai ka bërë një punë të madhe dhe është një pikë referimi për çdo grek në Shqipëri", deklaroi Beleri.
Vizita e Belerit në Greqi pason me një organizim në Janinë, ku do të marrin pjesë deputetë dhe eurodeputetë grekë, ku do të flitet “për të ardhmen e Epirit të Veriut dhe Qipros”.
“Me ministrin S. Papastavrou dhe eurodeputetët e EPP F. Beleri dhe M. Haxhipantela, ju presim të premten, më 10 janar, ora 18:30 në Grand Serai në Janinë, për të diskutuar mbi të ardhmen dhe sfidat e Vorio Epirit dhe Helenizmit Qipriot”, njofton deputeti grek Angelos Syrigos.
Ngjarja është planifikuar që në dhjetor 2024 dhe mbështetet nga Partia Popullore Evropiane, e cila është një organizatore e vazhdueshme e nismave të tilla. /ZËRI