TIRANË-Gjatë mbledhjes së qeverisë së zhvilluar ditën e sotme u miratua shpërblimi për punonjësit e policisë dhe bonusi i pranverës për pensionistët. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka theksuar se shpërblimi për punonjësit e policisë do të përmirësohet në kuadër të ligjit të ri të policisë, i cili do të miratohet në gusht të 2025.
'Shpërblimi për punonjësit e policisë, në gusht të 2024 ligji i ri i policisë miratoi të gjitha veprimtarinë, rregullimi, organizimin dhe shpërblimin e punonjësve të policisë së shtetit. Jemi në një risi dhe në një dhënie të vijueshme për policinë. Të gjithë aktivitetin e organizimit dhe dhënies së këtyre shpërblimeve do unifikohet. Qeveria përcakton shprehimisht vullnetin për misionin e qeverisë. Roli i policisë është një rol shumë kyç dhe motivimit do jetë në prioritetin e qeverisë shqiptare', tha ministri.
Ndërkohë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njoftoi se qeveria miratoi sot bonusin e pranverës. Ai tha se pensionistët që marrin pension më të ulët se 20 mijë lekë do të marrin bonus 10 mijë lekë, ndërsa ata që marrin pension mbi 20 mijë lekë do të përfitojnë bonus 5 mijë lekë.
"Miratuam bonusin e pranverës për të 730430 pensionistë. Ky bonus i pranverës do të shpërndahet në këtë masë, pra 10 mijë lekë për të gjithë pensionistët që përfitojnë një pension bazë mujor më të ulët se 20 mijë lekë në muaj. Këtë bonus e përfitojnë 520443 pensionistë. Ndërkohë që bonusin prej 5 mijë lekësh e përfitojnë 208987 pensionistë që kanë një pension pleqësire më të lartë se 20 mijë lekë,"- u shpreh ministri Blendi Gonxhja.
Një vendim tjetër i rëndësishëm ishte dhe miratimi i paketës së maleve, projektligj që ofron lehtësi fiskale, për të ndihmuar ekonomine malore të zhvillohet./ZËRI