
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në rubrikën 'Sy më sy' i pyetur nga komentuesit për naftën në Shpirag deklaroi se sasia gjendet atje, por kostoja e nxjerrjes është shumë e madhe dhe për këtë arsye kompania është larguar.
"Përsa i përket naftës në Shpirag, një nga kompanitë më të mëdha të botës ishte aty në operim, eksplorim. U zbulua një rezervë shumë e madhe nafte, por për arsye të gjeologjisë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe të masivit gjeologjik të Shpiragut, kostoja e nxjerrjes me teknologjinë ekzistuese të kompanisë bëhet shumë e lartë, kësht që jemi duke punuar për zgjidhje të tjera, të shikojmë,"-deklaroi Rama.
Kujtojmë se në shkurt të vitit 2024 kompania holandeze 'Shell' vendosi të tërhiqet nga Blloku 4 i kërkimeve në Jug të vendit, ndërsa ka pezulluar të gjitha operacionet e tjera të nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Pas shpimit në zonën e Shpiragut në Berat,kompani raportoi se naftë nuk ka.
"- Dega Shqipëri shprehet se “gjatë muajve të parë të vitit 2024 …drejtimi i Degës ka vlerësuar situatën e operacioneve në Shqipëri. Bazuar në vendimin e marrë nga menaxhimi, nuk ka asnjë synim për të vazhduar aktivitetin e saj të biznesit për një të ardhme të parashikueshme. Drejtimi vlerëson se likuidimi i Degës do të fillojë përgjatë vitit 2025,”- thuhej në shënimet e pasqyrave financiare të kompanisë.
Shell Albania Block 4 B.V. është kompania që menaxhon kërkimet në Bllokun 4 të kërkimeve të naftës në Shqipëri, Bllok që shtrihet në zonën Jugore dhe Juglindore të vendit. Kompania i përfitoi të drejtat e kërkimit në këtë zonë me Vendimin e Këshillit të Ministrave të qershorit 2018.
Në Shpirag, prania e naftës në zonë u zbulua për herë të parë nga një shpim nga kompania Occidental Petroleum në vitin 2001. Pusi i quajtur Shpirag 1 ishte i thellë 5055 metra dhe pavarësisht se u gjet naftë, kompania që e shpoi, e braktisi zonën pasi e gjykoi pa leverdi vazhdimin e punës për nxjerrjen e naftës. 12 vjet më vonë, në vitin 2013, një kompani e quajtur Petromanas, shpoi një pus të dytë si dhe bëri teste. Pusi i dytë ishte 5547 metra i thellë dhe nafta e gjetur ishte “e lehtë”. Që nga ajo kohë, Shell, e cila bleu interesat e Manas në këtë projekt, ka shpuar edhe puset 3,4 dhe 5, por duket se nuk kanë pasur të njëjtat rezultate./ZËRI