
TIRANË-Seanca dëgjimore e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste ka hapur debat në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza për dëgjesën me rektorin e Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.
Gazment Bardhi: Keni pranuar kërkesën e Safet Bajrit për seancë në grupit tuaj. Kur të merrni vendim na komunikoni. Rektori as ka ardhur dhe as ka për të ardhur kurrë për seancë dëgjimore në grupin e partisë demokratike sepse kjo është një shkelje e rëndë e kushteturës dhe ligjeve të këtij vend. Ne si grup jemi betuar për të respektuar kushtetutën e jo kodin e mafias për të marrë në mbrojtje të inkriminuar për t’u rrëfyer në një grup ku janë më mëkatarë se rektori vetë. I kërkoj presidentit shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të rektorit që s’njeh kushtetutë e ligj që vjen me kërkesa private. Si i shkruajti rektori Ramës që erdhi dhe bëri seancë dëgjimore te ju? S’ka ndodhur në asnjë histori të botës, kurrë në një parti politike apo organe të partisë politike për t’u dëgjuar. Ju dhe rektori keni hallin e përbashkët për të penguar SPAK për të luftuar korrupsionin në vend.
Në kundërpërgjigje të deklaratave të Bardhit, kreu i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi sqaroi se rektori ngriti shqetësime mbi procesin ku ndodhet UBT-ja pas masave të sigurisë kundrejt stafit pedagogjik të tij. Peleshi tha se Sallaku kërkoi mbështetje për projekte të ndërkombëtarizimit të universitetit dhe në asnjë moment nuk kërkoi mbajtjen e një qëndrimi.
Niko Peleshi: Ajo që u tha është shtrembërim, spekulim, abuzim me fjalën në Parlament. Nëse e ndoqët dëgjesën e rektorit, ai ju kërkoi dhe ju publikisht të vijë në grupin tuaj parlamentar për të dhënë sqarime. As rektori nuk pretendon që ne të mbajmë anë në një proces me drejtësinë. Ne inkurajojmë hetime të drejta. As rektori dhe as Rama nuk ka thënë që do mbajë anën e këtij apo atij. Agjencitë e qeverisë shqiptare kanë qenë bashkëpunuese në atë proces hetimi. Rektori nuk u mor me procesin, por ngriti shqetësimin e një procesi tjetër ku ndodhet UBT dhe i shqetësuar për imazhin e tij dhe sqaroi raportin e universitetit dhe projektet e universitetit. Dhe kërkoi mbështetje për projekte të ndërkombëtarizimit të universitetit.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku foli më 26 shkurt në mbledhjen e grupit parlamentar të PS në lidhje me masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO për anëtarët e stafit të UBT. Sallaku u shpreh se ka nisur një reformë të thellë në universitet dhe njoftoi se është i gatshëm të flasë edhe në Komisionin Parlamentar të Arsimit.
GJKKO me kërkesë të SPAK ka lëshuar 24 urdhër arreste, 5 “arrest në burg”, 10 “arrest në shtëpi” dhe 9 “detyrim paraqitje” për punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Sipas SPAK, nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë./ZËRI