Politikë

Sërish debate në Kuvend/ Berisha: Pranoni Avokatin e Popullit, ta votojmë! Balla: Doni marrëveshje si 17 maji?

Bardhi ka kërkuar që të kryhen dëgjesat me institucionet e pavarura dhe Kuvendi të vijojë punë edhe pas 8 korrikut.

k.m.
Sërish debate në Kuvend/ Berisha: Pranoni Avokatin e Popullit, ta
Sali Berisha dhe Taulant Balla

TIRANË- Ka nisur edhe sot me debate nga seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Në nisje të seancës, ka pasur replika mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali lidhur me rendin e ditës. Bardhi kërkoi nga Spiropali që të fusë në rend, çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Bardhi ka kërkuar që të kryhen dëgjesat me institucionet e pavarura dhe Kuvendi të vijojë punë edhe pas 8 korrikut. Më pas, kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi problemin e Avokatit të Popullit si një problem që shtyhet për pothuajsi një vit nga maxhoranca. 

Berisha shtoi se Partia Socialiste heziton të zgjedhë në krye të këtij institucioni një kandidaturë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, teksa fliste për Besim Ndregjonin.

“Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej pothuajse një viti. Dhe shtyhet dhe shtyhet sepse ju, ose kreu juaj Ramaduro siç po e quajnë tanimë në të gjitha kontinentet, nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyrë. Por rregulli ka qenë që Avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidatëve që paraqet opozita, të impononi kandidaturën dhe jeni të gatshëm ta shtyni me vite vetëm e vetëm që një kandidaturë, e cila për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike. Dje unë dhashë një intervistë dhe një gazetar i mirënjohur më pyeti a janë zgjuar demonët e sistemit të vjetër në Shqipëri me Ramaduron. Edhe ai fliste për Ramaduron. Kjo që po bëni ju është dëshmi e zgjimit të atyre sepse ju keni hezitim të pranoni një kandidaturë nga shtresa e të persekutuarve politikë, ndonëse zoti Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret. Prandaj sot hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë. Kjo është e papranueshme. Ky është një institucion, pavarësisht se në narkoshtet të gjitha institucionet shumëzohen me zero, por për ne ky është një institucion që duhet të plotësohet me drejtuesin e tij”, tha mes të tjerash Berisha.

Përgjigjen e mori nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ky i fundit ftoi opozitën për të nënshkruar një tjetër marrëveshje si ajo e 17 majit, e lidhur mes kryeministrit Edi Rama dhe asokohe kryedemokratit Lulzim Basha. Propozim që u prit me të qeshura nga ana e majtë e sallës, aty ku ulet dhe opozita. 

Taulant Balla: Më 17 maj 2017 opozita ka pasur ekskluzivitetin e zgjedhjes së një emri për Avokatin e Popullit. Nëse keni dëshirë që të ktheheni në një marrëveshje si ajo në 17 maj, patjetër, nuk ka problem, por duhet diskutuar. Ju nuk mund të vini të thoni 'o ky, o ramë e vdiqëm'. Ju kemi thënë hajde dhe ndërtojmë një proces. I vetmi shembull që ekziston është ai i 17 majit 2017, kur kemi votuar për zonjën Ballanca, mandati i së cilës ka përfunduar para 3 vitesh. Mos e kërkoni përgjegjësinë tek grupi parlamentar i PS. Nuk keni dashur vetë që ka zgjidhni Avokatin e Popullit.

Ndërsa deputeti i opozitës Dashnor Sula ka akuzuar mazhorancën dhe veçanërisht kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Elisa Spiropali, për shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Ju tërheq vëmendjen për institucionet e pavarura. Është e pafalshme të shkelet Kushtetuta për to. Është antikushtetuese që të jetë Kuvendi i ri që i miraton. Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë dhe duhet ta marrin vesh të gjithë qytetarët shqiptarë. Në Komisionin e Ligjeve, të Sigurisë dhe në komisionet e tjera parlamentare ka persona që kanë konflikt interesi me institucionet e pavarura, duke filluar nga SPAK,”-tha Sula.

Por edhe pse pati përplasje, çështja u mbyll pa një afat se kur palët do të diskutojnë sërish për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. E ndërkohë, Erinda Ballanca vazhdon në detyrë pa mandat prej 3 vitesh./ZËRI

Poll

MOS HUMB