ATHINË- Imuniteti i anëtarëve të Parlamentit Evropian garantohet shprehimisht në ligjin e Bashkimit Evropian si garanci e ushtrimit të lirë dhe të papenguar të detyrave të tyre. Dhënia e imunitetit parlamentar kryhet në nivelin më të lartë të rregullave të së drejtës të rendit juridike të BE-së, pra në nivelin e Traktateve. Prandaj, sipas legjislacionit europian, asnjë eurodeputet nuk i nënshtrohet hetimit, ndalimit apo ndjekjes penale, nëse Parlamenti Europian nuk i ka hequr më parë imunitetin.
Heqja e imunitetit kryhet përmes një procedure të përshkruar në detaje në Rregulloren e Parlamentit Evropian. Shembull tipik ishte heqja e imunitetit të ish eurodeputetit Janis Lagos, pas dënimit për drejtimin e një organizate kriminale në gjyqin e Agimit të Artë. Edhe Eva Kailit ishte në paraburgim të përkohshëm për skandalin e "Katargate". Në çdo rast, deputetët e Parlamentit Evropian – edhe në burg – ruajnë statusin e tyre, përveç nëse u hiqen të drejtat e tyre politike, vetëm ashtu e humbasin detyrën.
Por kur dikush i burgosur zgjidhet anëtar i Parlamentit Evropian, legjislacioni evropian nuk është aq i qartë. Për këtë arsye, kur Oriol Zunqueras u zgjodh eurodeputet ndërsa ishte në paraburgim për çështjen e pavarësisë së Katalonjës, filloi një aventurë ligjore në nivel kombëtar dhe europian. Për këtë çështje, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian nxori një vendim mjaft interesant sipas të cilit Oriol Zunqueras, si çdo eurodeputet tjetër i zgjedhur, gëzon imunitet relativ dhe ky imunitet nënkupton heqjen e çdo mase të ndalimit të përkohshëm. Pra, si përfundim iu dha mundësia për të shkuar në Parlamentin Evropian.
Ky vendim i Gjykatës së Luksemburgut përcakton edhe mbi çfarë do të bëhet me rastin e Ilaria Sallis, e cila u zgjodh deputete e Parlamentit Evropian në zgjedhjet e fundit në Itali, ndërsa po mbahet në një burg në Hungari. Megjithatë rasti i Fredi Belerit është në thelb i ndryshëm për dy arsye kryesore: së pari, sepse ai nuk është në paraburgim të përkohshëm, si Oriol Zunqueras dhe Ilaria Salis; së dyti, sepse Fredi Beleri nuk vjen nga një vend anëtar të BE-së, por nga Shqipëria. Për rrjedhojë, ai do të mbetet i burgosur pavarësisht zgjedhjes së tij si eurodeputet.
Për të marrë pjesë në seancën që do mbahet në Strasburg më 16 korrik 2024, ku anëtarët e rinj të Parlamentit Europian do të zgjedhin Presidentin dhe 14 nënkryetarët e institucionit, Fredi Belerit do t'i duhet leje speciale nga autoritetet kompetente të Shqipërisë. Natyrisht, pas ankesës që ka bërë ndaj vendimit të shkallës së parë, shumë shpejt pritet të nisë gjykimi në shkallën e dytë. Nëse nuk i shtohet dënimi, ai do të dalë nga burgu në mesin e shtatorit 2024, kur mund të fillojë të kryejë pa ndërprerje detyrat e reja si eurodeputet./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga "ToVima"