
TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka nisur gjyqin për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, e cila zvarritet që prej 3 vitesh.
Çështja në Apel po shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro. Vendimi që do të marrë kjo treshe gjyqësore do të jetë një vendim i formës së prerë.
Pasi u këshilluan në dhomë këshillimi për të marrë vendim nëse do të legjitimojë palën e PD zyrtare në këtë proces, gjykata vendosi të rezervojë të drejtën për t’u shprehur për kërkesën në fund të çështjes, me shkrim.
“Vendimin nuk do e shprehim, pasi rezervojmë të drejtën për t’u shprehur për kërkesën e bërë nga Rithemelimi për të mospranuar PD-në zyrtare në çështje, në vendimin përfundimtar.”, u tha në qëndrimin e palës gjykuese. Ndërkohë gjyqi po vijon me parashtrimet e pretendimeve të palëve. Duke iu referuar procedurave ligjore, Gjykata ka të drejtë që për kërkesa të tilla të mos shprehet, por të shprehet në fund të çështjes me shkrimin, në vendimin përfundimtar.
Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Gjykata e Lartë zbardhi më 18 mars arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë./ZËRI