TIRANË- Një diskutim u zhvillua në Komisionin e Ligjeve mes kryetarit Ulsi Manja dhe kreut të Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, të cilët shkëmbyen replika të vazhdueshme.
Hoxha kërkoi që Unioni të shprehej edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Manja i kërkoi të fokusohej te projektligji që po shqyrtohej nga komisioni. Por, Hoxha kundërshtoi, duke theksuar se Unioni kishte ardhur për të dhënë mendimin e tij dhe se nuk duhej të orientohej se si të zhvillonte diskutimin.
Manja: Zoti Hoxha e ka fjalën, për të dhënë edhe ai, në emër të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, qëndrimin në lidhje me, të bëjmë një saktësim, me projektligjin, jo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i saj e ka thënë çfarë ka për të thënë vetë, ne duam një qëndrim tuajin me projektligjin që diskutuam sot.
Hoxha: Tani nëse na keni thirrur këtu, do na respektoni dhe do ta dëgjoni çfarë do të themi.
Manja: Jo jo, ju thoni çfarë të doni.
Hoxha: Në qoftë se do të më orientosh se si do diskutoj, më vjen keq, por nuk është kjo. Ne iu respektuam të gjithëve ju, ftesa erdhi 15 minuta përpara, nuk ishte aspak serioze, por për të respektuar Kuvendin, popullin shqiptar, magjistratët dhe Kushtetuesen, ne erdhëm sot këtu për të dhënë mendimet tona.
Se çfarë do të diskutojmë në, brenda kuadrit ligjor, atë e dimë ne, kështu që do t’iu lutesha të na dëgjoni. Do flasim për vendimin e Kushtetuese, ku është zanafilla. Nuk mund të shkojmë të flasim për degët, kur kemi prerë pemën. Nëse e pret pemën, degët bien në tokë, kështu që, ju lutem, na lini të flasim.
Manja: Zoti Hoxha, t’i ndajmë gjërat, ky është Kuvendi i Shqipërisë dhe është sovrani.
Hoxha: Po patjetër!
Manja: Ne kemi shumë respekt për pushtetin që ju përfaqësoni.
Hoxha: Na respektoni se na keni ftuar si miq.