TIRANË-Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, po diskutohet drafti i Partisë Socialiste lidhur me rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës. Lidhur me debatin e gjerë rreth pagave të magjistratëve, opozita ka kërkuar seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, drejtuesin e SPAK, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e Gjykatës së Lartë. Kërkesa e tyre është pranuar nga kryetari i komisionit Ulsi Manja.
Oerd Bylykbashi: Fakti që ne jemi komision përgjegjës, duhet të presim edhe qëndrimet e komisioneve të tjera. Kjo tregon çfarë lloj procesi legjislativ kemi këtu në Parlament. Është një nga ato ligje që kërkuan punë prej muajsh. Një nga vërejtjet kryesore të GJK ishte që projektligjit i mungonte konsultimi me grupet e interesit, sërish rezulton e njëjta gjë. Ata pritën që Parlamenti brenda afatit të kishte marrë një vendim dhe të miratonte ndryshimet ligjore të kërkuara. KLGJ dhe KLP morën qëndrime dhe vendime prej një krize kushtetuese, sepse Parlamenti nuk respektoi vendimet e GJK. 1/3 e deputetëve të komisionit ka bërë kërkesë për seancë dëgjimore me KLGJ, KLP, Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatën e Prokurorëve të Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Gjykatës së Lartë. Bëmë kërkesë për seancë brenda orës 15:00, në mënyrë që Parlamenti dhe ky komision, kur të marrin vendim, të ketë dëgjuar mendimin e tyre.
Ulsi Manja: Kemi në thelb një kërkesë për procedurë. Ne i kemi marrë opinionet me shkrim edhe të KLP dhe KLGJ, edhe të shoqatave. Por kjo nuk do të thotë se opinionet me shkrim zëvendësojnë seancat dëgjimore. Siç e ka Kuvendi i Shqipërisë këtë projektligj për konsultim publik, është në faqen e Kuvendit. Ai i është nënshtruar konsultimit. Për sa i përket kërkesës së Bylykbashit, rregullorja e re nuk ka lënë hapësirë për diskutim nëse duhet bërë seancë apo jo. Kështu që, ndërkohë që ne besoj shprehemi për t’u realizuar seanca sot, unë u propozoj kolegëve që seanca dëgjimore me institucionet e kërkuara të zhvillohet sot.
Gjatë mbledhjes Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, por edhe rendi kushtetues që Gjykata Kushtetuese ka respektuar.
Në mbledhjen e 14 shtatorit, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim draftin e mazhorancës për rritjen e pagave të magjistratëve, me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim. Drafti parashikon rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas draftit, rritja përkthehet në rreth 8,500 lekë më shumë në pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por paga e miratua nga KLGJ e KLP është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.' Fjalën' e fundit do e thotë Kuvendi, ku në seancën plenare të 17 shtatorit, drafti pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim në seancë plenare.