Politikë

Vendimi për Veliajn, reagon Rama: Përsëri Tirana pa kokë, rast unikal në Europë

Përmes një postimi në platformwn “X”, Rama ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Tiranë dhe për kohëzgjatjen e masës së arrestit ndaj Veliajt.

zh.ll
Vendimi për Veliajn, reagon Rama: Përsëri Tirana pa kokë,
erion veliaj-edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e lënë atë në qeli.

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Tiranë dhe për kohëzgjatjen e masës së arrestit ndaj Veliajt. Rama thekson se pavarësisht respektimit të vendimeve të gjykatave, sipas tij rasti i Veliajt është i pazakontë dhe "unikal në Europë".

Postimi i plotë i Ramës:

Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq! Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli - madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë. Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur: Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.

Sot në Gjykatën e Lartë u shqyrtua masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.  Veliaj kërkoi lirimin e menjëhershëm, si edhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të paraqitura në rekurs, por Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut, duke e lënë në qeli.

Çështja u rikthye në Gjykatën e Lartë nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi rishqyrtimin e vendimit për masën “arrest në burg” dhe argumentimin e arsyeve se përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër më e butë. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen në Gjykatën e Lartë përbëhet nga Sander Simoni si relator, ndërsa anëtarë janë Valbon Çekrezi dhe Genti Shala. 

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB