GREQI-Odisea Dhima, ish-trajneri i ekipit kombëtar grek të peshëngritjes dhe vëllai i kampionit olimpik Pirro Dhima, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit në kuadër të hetimeve për trafikimin dhe furnizimin me substanca anabolike.
Gjatë një deklarate për televizionin grek MEGA, Dhima ka mohuar akuzat se ka dhënë me qëllim substanca të ndaluara sportistëve, përfshirë djalin e tij të mitur, dhe ka thënë se ndaj tij është ndërtuar një fushatë dezinformimi. Sipas tij, ai prej dy vitesh nuk ka trajnuar më sportistë. Dhima i ka falje vëllait të tij, Pirro Dhimës, familjes dhe qytetarëve që e kanë mbështetur kampionin olimpik.
Odisea Dhima: Prej dy vitesh kam ndaluar së trajnuari sportistë. Ndihem i shkatërruar nga dezinformimi ndaj meje, deri në atë pikë sa më akuzojnë se me qëllim i kam dhënë anabolikë djalit tim të mitur. Dua t’i kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime, të cilët i kam vendosur në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pamatur. Kërkoj falje edhe nga të gjithë qytetarët që e kanë dashur Pirro Dhimën.
Për rastin e djalit të tij, Dhima ka deklaruar se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në përbërjen e të cilit, sipas tij, nuk ishte deklaruar prani e një substance anabolike. Sipas tij, një vendim gjyqësor ka trajtuar këtë rast si pakujdesi dhe jo si veprim të qëllimshëm. Për preparatet e gjetura në banesën e tij ai deklaroi se shumica janë të ligjshme, ndërsa për disa të tjera do të tregojë se i përdor për arsye mjekësore.
Lidhur me hetimin ndaj Odisea Dhimës, autoritetet greke njoftuan se në kontrollet e një banese dhe në ambientet sportive në Atikë u sekuestruan 871 copë medikamente dhe substanca dopingu të paligjshme — tableta dhe ampula që nuk janë të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin — së bashku me 15.000 euro në cash, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular./ZËRI

