GREQI-Vëllai i atletit të njohur me origjinë shqiptare Pirro Dhima, Odisea Dhima, 58 vjeç, është arrestuar në Athinë. Sipas burimeve policore, bastisjet u zhvilluan në banesën e tij dhe në qendrën sportive që ai drejtonte, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi lëndësh stimuluese të paligjshme, të destinuara për t’u dhënë sportistëve me qëllim rritjen artificiale të rezultateve.
Mediat fqinje raportojnë se sipas autoriteteve Dhima që prej muajit prilli të vitit 2024 ka furnizuar dhe u ka dhënë substanca të ndaluara sportistëve. Gjatë hetimeve u zbulua edhe një rast konkret i dhënies së një substance të ndaluar, nga lista e WADA-s, një sportisti të mitur gjatë një gare; për këtë rast trajneri dhe sportisti ishin dënuar më parë me përjashtim nga gara dhe eventet sportive.
Në kontrollet në një banesë dhe në ambientet sportive në Atikë u sekuestruan 871 copë medikamente dhe substanca dopingu të paligjshme — tableta dhe ampula që nuk janë të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin — së bashku me 15.000 euro në cash, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular. Telefoni do të verifikohet pasi ekzistojnë dyshime se mund të përmbajë prova shtesë për aktivitetin e dyshuar të 58-vjeçarit.

Arrestimi u krye nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).