Aktualitet

Vrasja e Artjol Ramajt në Spanjë, konflikti për 5 euro, prokuroria kërkon 22 vite burg për autorin

Prokuroria dyshon se trupi u la në atë zonë me qëllim që kafshët e egra ta copëtonin dhe ta bënin më të vështirë identifikimin e tij, si dhe zbulimin e provave.

F.I
Vrasja e Artjol Ramajt në Spanjë, konflikti për 5 euro,
Artjol Ramaj

SPANJË-Media spanjolle EL PAÍS i ka kushtuar një artikull ngjarjes së 2 marsit 2023, ku shqiptari Artjol Ramaj, dyshohet se u vra brutalisht nga burri me të cilin jetonte në Spanjë, pas një konflikti për vetëm 5 euro. Trupi i tij u copëtua dhe u shpërnda në një zonë të pyllëzuar pranë banesës, ndërsa eshtrat u zbuluan rreth një muaj e gjysmë më vonë nga një person që po shëtiste qenin. Pas disa vitesh hetime, çështja pritet të kalojë për gjykim me juri në Spanjë.

I riu shqiptar dhe autori i dyshuar 52-vjeçar i njohur me nofkën “El Seco” jetonin në një shtëpi në zonën e Riudarenes, në Girona. Të dy kujdeseshin dhe ruanin një plantacion kanabisi që ndodhej në pronë.

Disa ditë pas zhdukjes, një i njohur i të riut iu drejtua policisë katalanase, Mossos d’Esquadra, pasi nuk kishte marrë asnjë informacion për të. Ai u tregoi efektivëve se marrëdhënia mes shqiptarit dhe 52-vjeçarit ishte përkeqësuar dhe se ata kishin pasur disa konflikte. Kur mbërritën në banesë, policia arrestoi 52-vjeçarin, pronarin e pronës, për një vepër penale që lidhej me kultivimin e kanabisit. Operacioni i drogës u çmontua, por për Artjol Ramajn nuk u gjet asnjë gjurmë.

Prokuroria kërkon për të akuzuarin 22 vjet e 5 muaj burg, ndërsa dy paditë private kërkojnë dënime edhe më të larta. Sipas dyshimeve të gjykatësit hetues, “El Seco” e ka sulmuar të riun ndërsa ai ndodhej i shtrirë në shtrat dhe nuk dyshonte për asgjë. Shkak për konfliktin e fundit dyshohet të jetë bërë një shumë prej 5 eurosh, të cilat 52-vjeçari pretendonte se shqiptari ia kishte marrë.

Prokuroria pretendon se sulmi ishte tepër brutal dhe se një dëmtim traumatik në tru ishte ndër plagët që i shkaktuan vdekjen të riut. Më 17 prill 2023, rreth një muaj e gjysmë pas zhdukjes, një person që po shëtiste qenin zbuloi mbetje kockore në një zonë të pyllëzuar pranë kompleksit rezidencial Can Fornaca, jo shumë larg banesës ku jetonin dy personat.

Trupi nuk u gjet i plotë. Sipas hetuesve, mbetjet ishin shpërndarë dhe dëmtuar nga kafshët e egra, përfshirë derrat e egër dhe qentë që frekuentonin zonën. Gjendja e eshtrave nuk lejoi përcaktimin e të gjitha dëmtimeve që mund të kishte pësuar viktima. Pranë tyre u gjet edhe një thikë.

Hetuesit zbuluan disa prova që, sipas prokurorisë, e lidhin 52-vjeçarin me krimin e dyshuar. Në të njëjtën zonë ku u gjetën eshtrat e shqiptarit u zbuluan edhe një peshqir, një mbulesë jorgani, një jastëk dhe një qilim, të gjitha me njolla gjaku. Gjurmë gjaku u gjetën edhe në dhomën e gjumit të viktimës, ku i akuzuari dyshohet se ishte përpjekur të pastronte provat.

Gjithashtu, policia zbuloi gjurmë gjaku në furgonin që dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit drejt zonës së pyllëzuar. Brenda lavatriçes së banesës u gjetën edhe pantallona me njolla gjaku, të cilat, sipas hetuesve, i përkisnin të akuzuarit. Prokuroria dyshon se trupi u la në atë zonë me qëllim që kafshët e egra ta copëtonin dhe ta bënin më të vështirë identifikimin e tij, si dhe zbulimin e provave.

Sipas mbrojtjes, fakti që në dhomë kishte gjak nuk provon se vdekja ndodhi aty, ashtu siç bashkëjetesa me viktimën nuk mjafton për t’i atribuar të akuzuarit vrasjen. Ajo kundërshton gjithashtu interpretimin e njollave të gjakut në pantallona dhe në furgon si prova të drejtpërdrejta të sulmit dhe transportimit të trupit.

Avokatja ka kërkuar pushimin e çështjes, duke argumentuar se përfundimet e hetimit janë ndërtuar mbi supozime që mbështesin njëra-tjetrën, por që, sipas saj, nuk provojnë përtej dyshimit përfshirjen e klientit të saj.

Një tjetër element i çështjes lidhet me pamjet filmike të kamerave të sigurisë në kompleksin rezidencial. Gjykatësi i ka kërkuar Bashkisë së Riudarenes të vërë në dispozicion regjistrimet për të identifikuar lëvizjet e mundshme të të akuzuarit në orët pas krimit.

MOS HUMB